Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi në një lidhje me skype për MCN Live tha që rikthimi i opozitës në Kuvend ishte veprimi i duhur, pasi aty është fushëbeteja kryesore e përballjes me mazhorancës.
Shehi thotë se opozita shqiptare s’duhet t’i mbajë shpresat te ndikimi i rikthimit të Trump-it si President i SHBA-ve, pasi e vetmja mënyrë për ta mposhtur Ramën është përmes figurave të reja.
Lidhur me rikthimin e PD në Kuvend, Shehi tha: “Unë them që kanë bërë mirë që erdhën, duhet të kishin ardhur me kohë. S’duhet të kishin dalë fare. Si njeri që kam pretenduar që Parlamenti është fushëbeteja kryesore e opozitës, dhe u pa që dje, që u mbajtën disa fjalë për drejtësinë, korrupsionin, buxhetin. Të paktën gjykata i dha të drejtë që të kthehen. Bënë mirë që u kthyen, bënë mirë të mos dalin më, sepse hy-dil, hy-dil, i doli pak lezeti kësaj pune. Është mirë të merremi pak me çështjen e buxhetit, se vjet kaloi për gjysmë ore. T’i afrojnë një përqasje të re shqiptarëve se po vijnë zgjedhjet, çfarë mendojmë për bujqësinë, pensionistët, arsimin. Betejat e tjera u panë, u përdorën, nuk qenë ndonjë sukses i madh”.
I pyetur, a mund të ndikojnë zgjedhjet në SHBA në Shqipëri?
“Nuk ka ndonjë lidhje të madhe kjo punë. Mos ngrihen pritshmëri që mund të na zhgënjejnë. Se ç’ka bërë Amerika e ka bërë për amerikanët. Z. Trump e meritonte këtë punë, unë uroj të bëj një politikë të madhe. Nuk mbaj ndonjë shpresë nga këto muhabete, që Trump do vijë edhe do thotë ju jeni opozita edhe do përzëmë Ramën. Do ta përzëmë ne nëse kemi fytyra të reja, të pastra”.



