“Porosia” u kodua një operacion i policisë së Tiranës, i cili zbardhi shpërthimin me lëndë plasëse më 10 mars, në një makinë në rrugën “Vasil Ndoçka”, ngjarje e porositur nga burgu, gjatë të cilit u arrestuan shtatë persona të përfshirë në ngjarje, në formën e një grupi të strukturuar kriminal, me precedentë të theksuar kriminal.
Efektivët e komisariatit Nr. 6, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në rrugën “Vasil Ndoçka”, ku në automjetin në pronësi të shtetasit Oltion Klosi, shpërtheu një sasi lënde plasëse me pasoja vetëm dëme materiale, organizuan operacionin policor me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, administrimit të provave në vendngjarje, si dhe këqyrjes së kamerave në akse të ndryshme rrugore përmes të cilit dyshohet se mund të ishin larguar autorët, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes.
Si të dyshuar u ndaluan shtetasit Jurgen Gjonaj, 32 vjeç, Renato Balla, 25 vjeç, Kristjan Ahmerama, 24 vjeç dhe Eklips Leti, 27 vjeç, për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim;
Gjithashtu u ndaluan shtetasit Glentian Kojtari, 29 vjeç, Dorjan Hamolli, 34 vjeç dhe Geris Molla, 19 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, e kryer në bashkëpunim;
Nga ana e uniformave blu u vu në pranga për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv” ndaj shtetasit Sabah Nuzi, 33 vjeç, aktualisht në IEVP.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Jurgen Gjonaj, është personi që ka vendosur dhe shpërthyer lëndën eksplozive, i cili është ndihmuar nga shtetasit Kristjan Ahmerama, Renato Balla, dhe Eklips Leti, duke i siguruar fotot dhe vendndodhjen e automjetit të dëmtuar, biçikletën me të cilën ka lëvizur autori, banesën ku është strehuar si dhe sasinë e lëndës eksplozive të vendosur.
Ndërkohë, Shtetasi Sabah Nuzi, aktualisht në IEVP Fushë-Krujë, i akuzuar për vepra të rënda kriminale, dyshohet se është personi që ka porositur vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e shtetasit Oltion Klosi.
Më tej, shtetasit Glentjan Kojtari, 29 vjeç, Dorjan Hamolli, 34 vjeç dhe Geris Molla, 19 vjeç, kanë transportuar me automjet, më datë 10 mars autorin e vendosjes së eksplozivit, shtetasin Jurgen Gjonaj.



