Ka nisur me përplasje me policinë, protesta modeste e anëtarëve të PDIU dhe VV para Ministrisë së Jashtë në Tiranë kundër vizitës së ministrit grek Nikos Dendias në Tiranë. Policia ka kërkuar nga ata që mos të qëndrojnë aty dhe të zhvendosen më tutje. Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi ka folur nga protesta duke sqaruar se policia nuk ka dhënë leje për protestën dhe protestuesit e PDIU janë rrethuar nga forcat policore.
Më tej, ai thotë se Shqipëria ka humbur mjaft tokë e det dhe s’duhet të vijojë më, por Greqia edhe në kohë COVID-i i flet vendit tonë me duart e forta.
”Jam i detyruar që të bëj një prononcim të shkurtër. Është një shtetrrethim i vërtetë nga Policia shqiptare. Kishim bërë kërkesë për protestë paqësore me rastin e vizitën së ministrit të jashtëm grek. Për t’i kujtuar çështjen çame, kërkimin e faljes, pronat, sigurisht edhe për kufijtë detarë. Shqipëria boll ka humbur tokë e det. Fatkeqësisht leja dhe njoftimi jonë është refuzuar me justifikimin e COVID-19. Ne do e bënim me distancim social, pankarta dhe foni. Fatkeqësisht ësthë i turpshëm reagimi dhe arsyeja. Shohim përditë asambletë e Ramës, mbledhje partie e konferenca dhe s’ka problem. Nuk e zgjodhëm ne që në kohë COVID-i të bëjmë protestë, por në kohë COVID-i Greqia në flet më duart e forta. Më vjen keq që jemi duke u vendosur para vëllezërve tanë të policisë, jam i bindur që mendojnë si ne. Ne nuk kemi dalë të fshihemi”, tha Idrizi.
"Kam qenë që në ’90 një nga studentët e dhjetorit. Përpara kishim bishën komuniste. Kjo është protesta ku policia shqiptare është sjellë në mënyrën më të poshtër të mundshme. Janë arrestuar 24 qytetarë. Ju patët mundësinë të shihni një shtet policor. Janë arrestuar aktivistë të shoqërisë civile. I jam drejtuar disa herë policisë duke i thënë se ju jeni vëllezërit tanë. Nuk kam ardhur të tregoj forcën. Në emër të 24 vetave dhe shqiptarëve të Çamërisë do t’i mbajmë mend të gjithë ata që kanë shkelur ligjin. Unë nuk e di kë mbronte sot policia shqiptare. Do t’i shkojmë deri në fund", tha më tej ai.

Nën motot “Mos prek Shqipërinë!”, “Mos harro Çamërinë!”, “Shoqata patriotike “Çamëria” dhe PDIU ftoni sot të gjithë shqiptarët prej orës 11:00, përpara Ministrisë së Jashtme, në tubimin paqësor për:
Çështjen Çame
Heqjen e ligjit të luftës
12 miljet detare shqiptare, Greqia i ka në Prevezë“.



