Autoritetet gjermane janë vënë në alarm për të gjetur sa më shpejt një luaneshë që endet e lirë në pyjet qark Berlinit. Ata kanë këshilluar qytetarët që kanë shtëpitë afër zonës të marrin masa dhe të tregohen të kujdesshëm. Një video amatore që qarkulloi pak ditë më parë, tregonte në largësi një kafshë të madhe duke ndjekur një derr të egër. Rreth 220 oficerë policie të ndihmuar edhe nga civilë të specializuar, helikopterë, dronë dhe kamera termike po krehin një zonë të gjerë në jug të Berlinit. Deri më tani, nuk ka pasur asnjë shenjë të luaneshës së dyshuar. Autoritetet kanë këshilluar banorët e zonës që kafshët shtëpiake t’i mbajnë brenda. Sa i përket origjinës së kafshës, nuk ka të dhëna të sakta. Policia mbetet e pasigurt për prejardhjen e saj. Media e ka pagëzuar si luaneshë që endet e lirë në pyjet e Berlinit, por policia thotë se ka dyshime nëse kjo është e vërtetë. Gjatë hetimeve asnjë luaneshë nuk ishte raportuar e humbur nga kopshtet zoologjike apo cirqet në qytet. Ky nuk është rasti i parë kur kafshë të egra enden të lira edhe afër zonave urbane. Në vitin 2016, rojet e kopshtit zoologjik në Leipzig u detyruan të qëllonin për vdekje një luan pasi ai arriti të arratisej nga rrethimi i tij dhe ishte rezistent ndaj qetësuesve.



