Ambientalisti Sazan Guri e konsideroi një “vepër kriminale” ndotjen e shkaktuar në ujëmbledhësin e Bovillës. Duke folur në MCN Live Guri thekson që ky ujë, ku ka një ndotje kolosale me plehra, nuk duhet të përdoret as për t’u pirë, as për gatim, as për t’u larë. Guri e konsideroi injorancë apo tallje përgjigjen e drejtorit që menaxhon liqenin e Bovillës, i cili u shpreh se uji i pijshëm merret në thellësi dhe jo sipërfaqe.

“Unë këtë pamje e kam parë me dhjetëra raste dhe kam bërë atë që duhet të bëjë një qytetar, se fjalën kemi në dorë, edhe dijen. Klasa politike dhe përgjegjësit e këtyre situatave të quajnë edhe ekzotik! Situata ujëmbledhëse me liqene që krijohen nga shira, në Francë, Itali, nuk ndodh kurrë si justifikimi që bën drejtori, që ne marrim ujin e thellësisë. Është edhe tallje, edhe një lloj injorance. Ajo ndotja në sipërfaqe ku e lëshon ndotjen, ndikimin?! Bie në formë rrymash liqenore. Nuk duhet të ketë banesa afër, duhet të ketë zonën ku e filtron ujin e shirave. Liqeni i Bovillës s’është si liqeni i Tiranës, Farka, Paskuqani, duhet të ketë tre zona rreptësie. Duke qenë se janë 62 për qind të njerëzve që ushqehen me këtë ujë, është e pamundur të mos ketë përgjegjës. Ka me dhjetëra lloj mbetjesh që treten, dhjetëra lloj plastikash, ka mbetje që treten që në momentin e parë me ujë. Prania e plehrave mbi është njësoj si t’u japësh qytetarëve ujë me uturak. Ndotja e ujit, sidomos e ujit të pijshëm është vepër penale, neni 202/203. Është vepër kriminale, e Bashkisë Tiranë apo Kamëz nuk e di, por është për ta dërguar në gjyq. Pa e futur në filtër s’do e përdorja as për të gatuar. Për t’u larë është më keq akoma, janë 3 milionë pore”.



