
Këngëtari i ri Valdrin Mustafa, i ftuar në studion e programit të mëngjesit “Zgjohu me MCN”, foli për këngën e tij më të re, “Zjarr”, pjesëmarrëse në festivalin “Kënga Magjike”.
Valdrini u shpreh i kënaqur me pritjen që mori kënga, si nga publiku, ashtu edhe nga juria.
Kam marrë komente shumë pozitive. Nuk e prisja të pritej kaq mirë, sidomos për një debutim të parë në ‘Kënga Magjike’.
Performanca live ishte me shumë emocione, pasi për herë të parë dilja në këtë skenë prestigjioze.
Këngëtari shtoi se pas eksperiencës në ‘X Factor’, vendosi të vijë me një projekt të vetin, në një kompeticion serioz si “Kënga Magjike”.
Mendova: pse të mos marr pjesë? Doja të prezantoja një material origjinal, në një festival me emër. Konkurrenca është e madhe, sidomos te artistët e rinj, por kjo më motivon edhe më shumë.
Më kanë pëlqyer shumë edhe performancat e artistëve të njohur në kategorinë “Big”, si Juliana Pasha dhe Gena.
Jam i kënaqur me vlerësimet që mora deri tani. Nuk prisja pesë jeshile, sepse ndonjëherë ka edhe zhgënjime, por përgjithësisht reagimet kanë qenë shumë pozitive.
Shpresoj shumë që kënga të ecë mirë dhe të arrij në Pallatin e Kongreseve. Pse jo, ndoshta edhe të marrë një çmim.
Tani dua të shoh si do të shkojë performanca ime në festival. Pas kësaj, do të prezantoj një këngë tjetër.



