Zv.ministri i Mbrojtjes, Arben Isaraj, ka reaguar në lidhje me lajmin se agjencitë ligjzbatuese të Holandës kërkojnë rikthimin e vizave për shqiptarët. Isaraj thekson se Amsterdami nuk është Holanda dhe krimi nuk mund të luftohet me politika raciste. Ai shprehet se autoritetet holandeze duhet të angazhohen më shumë në bashkëpunimin për të luftuar krimin e organizuar së bashku me homologët shqiptarë.
PËR TË DREJTËN APO PËR INTERESIN
Në Europën e Bashkuar e demokratike, ku ne duam të integrohemi, dhe Holanda bën pjesë, nuk mund të luftohet krimi me politika raciste.
Amsterdami nuk është Holanda, po aq sa Tirana nuk është Shqipëria.
Shqiptari i inkriminuar nuk është Shqipëria, po aq sa holandezi i inkriminuar nuk është Holanda.
Policia dhe prokuroria e Amsterdamit nuk janë qeveria holandeze.
Policia dhe prokuroria e Amsterdamit, janë krijuar sipas ligjeve të botës demokratike, për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e njeriut dhe jo për t’i cënuar ato.
Policia dhe prokuroria holandeze duhet të bashkëpunojë me homologët shqiptarë për të luftuar krimin e organizuar me lidhje në të dyja vendet.
Shqipërisë që nuk i ka munguar bashkëpunimi institucional dhe profesional holandez, për dhunën në familje, martesat gay si dhe spiunët që i fryjnë bilbilit të korrupsionit, nuk ka pse t’i mungojë bashkëpunimi holandez në luftën kundër krimit të organizuar.
Njeriu - thoshte Bonaparti, do të luftojë më shumë për interesat se sa për të drejtat.
Prandaj, për të mbrojtur lirinë dhe të drejtën e individitt, shoqëria krijoi Shtetin dhe Ligjin.



