
Jordan Daci, konstitucionalist, foli në MCN Live lidhur me hetimet e nisura ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ku theksoi se drejtësia pavarësisht vërejtjeve ka mekanizma vetërregullues.
Daci tha se vendimi s’është i ekzekutueshëm derisa të shprehet Kuvendi për dhënien e autorizimit lidhur me rastin në fjalë.
Sipas Dacit Kuvendi ka dy opsione, ose të injorojë vendimin e gjykatës, ose të japë autorizimin në lidhje me hetimet ndaj Berishës, për të cilin është vendosur masa detyrim paraqitje.
Pika më e fortë është që s’ka rëndësi emri i personit nën hetim, origjina, apo elementë të tjerë identifikues, në raport me detyrimet që shteti ka në respektimin e të drejtave dhe lirive themelore. Garancitë kushtetuese nuk duhet të shkelen as për terroristin më të madh në botë. Është shumë e rëndësishme për publikun, që pavarësisht rezervave për X dhe Y, nëse nuk shqetësohemi nëse i shkelet e drejta dikujt, nesër do jemi ne kandidatë për të na u shkelur të drejtat.
Se çfarë do bëjë Berisha duhet t’ia thonë avokatët e tij. Nuk jam avokati i tij dhe s’mund ta vlerësoj. Ajo që mua më shqetëson është që përballë bindjeve profesionale nuk duhet të përfshijmë elemente politikë. Padyshim nuk mund ta shmangim diskutimin politik për këtë rast, por nga pikëpamja juridike nuk justifikohet që Kuvendi të mos vihet në lëvizje për të dhënë autorizimin. Me shumë gjasa edhe vet z.Berisha mund ta votojë kërkesën vet ai.
Ka dy gjëra, së pari drejtësia do bëjë punën e vet, pavarësisht gabimeve apo vërejtjeve që ne kemi. Nuk justifikohet asnjë sulm ndaj drejtësisë, drejtësia ka mekanizmat e veta korrigjues. Sigurisht nuk është një rast si gjithë të tjerët, sepse përfaqëson një histori të madhe, por në thelb të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit. Ndryshimet kushtetuese që u bënë në 2016-ën kishin për qëllim që ta zhvishnin zyrtarin e lartë nga mbrojtja që i jepte imuniteti, por jo në çdo gjë, me përjashtim të kufizimit të lirisë. I gjithë lëmshi u bë në Kodin e Procedurës për shkak të rastit ‘Tahiri’, ku u vu një precedent që nuk ekzistonte, dhe u futën duart te kodi për ta ndryshuar, duke marrë parasysh skenarin që ndodhi për z.Tahiri, që s’mund të ishte një rast gjithpërfaqësues.
Sot për mua ka mospërputhje mes nenit 289 dhe Kushtetutës së Shqipërisë, dhe mendoj se ky rast s’është zgjidhur drejt nga pikëpamja kushtetuese. Tashmë Kuvendi ka përpara dy opsione, të injorojë vendimin e gjykatës që është fakt i kryer dhe dy, të japë autorizimin që do të thotë të ligjërojë vendimin që është dhënë. Por ky ligjërim nuk zhbën parregullsitë. Për mendimin tim imuniteti s’mund të shërbejë që njerëzit t’i shmangen drejtësisë. Nëse ne do ta lëmë në fuqi këtë rregull praktikisht këtu gjithë zyrtarët e lartë kanë mundësinë të ikin dhe këtu të gjykohen vetëm fukarenjtë.
Daci është i mendimit se duhet bërë me urgjencë ndryshimi kushtetues në Kuvend, ku sipas tij duhet të shkohet drejt një varianti të heqjes së imunitetit.
Kuvendi duhet që nesër të bëjë ndryshimet kushtetuese. I vetmi ndryshim kushtetues që do isha dakord të bëhet me urgjencë është ky. Për mua duhet të shkojmë drejt një varianti ku s’ka imunitet fare, dhe të gjykohet si gjithnjë njerëzit e tjerë. Mendoj që ai vendim s’është i ekzekutueshëm derisa të shprehet Kuvendi për dhënien e autorizimit. Ka një problem me mënyrën se si është formuluar dispozita. Detyrimi paraqitje është heqje lirie, edhe ndalimi për ikje jashtë është heqje lirie. Është heqje e pjesshme apo e plotë është gjë tjetër.



