Pasi u kthye nga SHBA, Kryeministri Edi Rama, zhvilloi një konferencë për media, ku komentoi arrestimin e ish-kreut të Shërbimit Informativ Vlora Hyseni, e cila dyshohet se është kompromentuar duke kaluar informacione sekrete kreut të një grupi kriminal si Ergys Agasi.
Në fjalën e tij nga Rinasi, Rama nuk ka marrë përgjegjësi për skandalin tek SHISH, ndërsa tha se çdo akuzë ndaj saj duhet të provohet nga drejtësia. Kryeministri Rama, u shpreh se masa e SPAK ndaj Hysenit ishte ekstreme.
Vendosa që të drejtohem në këtë konferencë, sepse zhvillimet e fundit të arrestit të ish-drejtueses së SHISH do duhet të kishin një shpjegim. Ishte një masë ekstreme, por nuk kam të drejtë të vlerësoj se pse Prokuroria ka kërkuar masën arrest në shtëpi.
Nuk e kam bërë dhe nuk do e bëj, që të ndërhyj në çështjet e drejtësisë. Çdo akuzë duhet që të çohet deri në fund. Ka ardhur koha ta trajtojmë bashkërisht dhe seriozisht. Besoj se Këshilli i Sigurisë i thirrur nesër është vendi i duhur për të reflektuar mbi përgjegjësitë institucionale.
Rama ka shprehur një kritikë të ashpër edhe ndaj mënyrës se si rrodhën informacionet në media. Sipas tij, gjatë marrjes së masës, një institucion kyç si SHISH u ekspozua ndaj një potenciali dëmi shumë të madh, i cili duhej të ishte parandaluar me çdo kusht.
Gjatë marrjes së masës, një institucion u ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh që duhet të ishte parandaluar. U desh që të dhënat të publikohen në media. Ky nuk është më problemi i një pushteti të pavarur, por i krejt shtetit.
Kjo qasje e lëshuar i ka lënë pa fjalë të gjithë partnerët tanë. Nuk është hera e parë që shefi i një shërbimi sekret merret i ndaluar, por hera e parë që SHISH bëhet target kombëtar dhe ndërkombëtar i thashethemnajës mediatike.
Hetimi i Vlora Hysenit është detyrë e drejtësisë, kurse mbrojtja e SHISH nga çdo dëm i panevojshëm kolateral është detyrë e të gjithë shtetit.
Edi Rama tha se arrestimi i Hysenit, nuk do të thotë se korrupsioni ka mbytur vendin, por se drejtësia sot është e pavarur falë kësaj mazhorance.
Arrestimi i zyrtarëve të qeverisë nuk do të thotë se na mbyti korrupsioni. Kurrë më parë s’ka patur një udhëheqje që i dha pavarësi drejtësisë, edhe duke marrë kostot e saj mbi lëkurën e vet.



