
Teksa ditë më parë nuk iu paraqit thirrjes së Prokurorisë së Posaçme SPAK për dëshmi, biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili është i lidhur me çështjen e njohur si “Koncesioni i sterilizimit”, është shoqëruar mbrëmë nga Policia.
Mësohet se ai është shoqëruar për t’u marrë në pyetje mbi këtë hetim që SPAK po zhvillon, pasi kompania “Investital LLC”, ka fituar të drejtën e koncesionit me vlerë 100 milionë €.
Ai tashmë pritet t’i përgjigjet prokurorëve lidhur me detajet e këtij përftimi.
Sipas informacioneve në media bazuar në përvojat e tij në biznes, Ilir Rrapaj drejtoi një kompani të vogël ndërtimi me vetëm një të punësuar, të regjistruar në një zonë të qetë rezidenciale në qytetin e Perugias të rajonit Umbria në Itali, të cilën e themeloi së bashku me dy të afërm të tij në vitin 2000 me një kapital të vogël prej 1 mijë e 500 eurosh.
Në vitin 2013, me ardhjen e socialistëve në pushtet, emigranti me origjinë nga fshati Rexhepaj i Vlorës, u kthye në Shqipëri. dy vjet më pas, me anë të një kompanie të regjistruar në Kosovë, ai u shpall fitues i kontratës koncesionare prej 100 milionë eurosh, por me një tender tejet të kundërshtuar.
Nëpërmjet kompanisë së tij Investital LLC, e cila ka një kapital prej 1 mijë eurosh dhe është e regjistruar në Prishtinë, Rrapaj zotëron 40% të aksioneve të një bashkimi kompanish italiane, të cilat fituan tenderin për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.
Ortakët e Rrapajt në konsorcium janë tre kompani nga rajoni i Umbrias, përfshirë “Servizi Italia”, e cila ka një eksperiencë 35-40 vjeçare në fushën e sterilizimit dhe mbetjeve spitalore, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.
Konkurrent në tender kanë qenë gjithashtu një grup tjetër operatorësh ekonomikë Italianë si: “S.S.I”, “Mario Gugliemo” dhe “Brema Ambiente”, të përfaqësuar nga kompania “Action Laundery” me qendër në Durrës.
Konsorciumi humbës pretendon që shpallja fitues e konsorciumit në të cilin Rrapaj ka shumicën e aksioneve është e paligjshme, pasi ai ka dhënë një ofertë që tejkalon fondin limit.
Ajo e ka ankimuar vendimin e Komision të Vlerësimit të Ofertave, KVO të Ministrisë së Shëndetësisë në Komisionin e Prokurimit Publik, KPP.
KPP-ja ka kërkuar rivlerësimin e vendimit fillestar të KVO-së, por kjo e fundit ka marrë një vendim të dytë, duke e shpallur përsëri grupin e kompanive ku përfshihet Investital LLC si fitues.



