Kryebashkiaku Erion Veliaj, ka reaguar me anë të një postimi në lidhje me vendimin e GJKKO, e cila hodhi sot poshtë kërkesën e tij për ndryshimin e masës së sigurisë. Veliaj thotë se bisedat e tij me të shoqen dhe të vëllain, pasi arrestimit, janë përdorur si prova shtesë. Veliaj shton se do ta vijojë betejën për drejtësi.

Të dashur miq e dashamirës,

Vendimi i sotëm nuk ishte ai që do të doja, po ishte ai që deshën ata që më janë qepur si të isha armiku më i betuar i këtij vendi.

Do të kisha dashur shumë që ta kisha fituar këtë betejë dhe tani të isha duke përqafuar djalin tim, për të cilin më ka marrë shumë malli!

Por, këta më ngritën edhe një kurth, duke më vënë në përgjim bisedat me gruan e me vëllain nga burgu, dhe shfrimet e mia i kthyen në një dosje të re!

E gjitha është si një ëndërr e keqe, si një film sovjetik, me sigurimsa që i qepen robit deri në poshtërim. Po ja që s’është as ëndërr, as film, po është një ngjarje e jetuar në lëkurën e një familjeje për fustanet imagjinare të gruas dhe dosje të stisura qëllimisht për Kryetarin e Bashkisë së Kryeqytetit.

A ka diku dikush që duhet të dëgjojë e të shohë se çfarë lebetie është e gjithë kjo?! Avokati amerikan, që më siguroi im vëlla, nuk arrinte të kuptonte asgjë, pasi më dëgjonte dhe pyeste: “Dakord, po pse në burg pa gjyq?”. I kam shkruar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, por po më duket sikur kam hedhur në det një letër në shishe, që kushedi se në ç’breg të shkretë ka dalë.

Sidoqoftë, ky nuk është fundi dhe s’ka se si të jetë! Luftën për drejtësi do ta vazhdoj e do ta bëj deri në fund, siç ju’a kam premtuar. Sepse gjatë gjithë jetës sime kam treguar se di të ringrihem. Humbjet na bëjnë më të fortë dhe janë preludi i fitoreve.

Uroj të mos bezdis asnjeri nga ju, sidoqoftë me këtë absurdin që po jetoj unë dhe familja ime. Por, kjo është realisht çnjerëzore.

Faleminderit për çdo mesazh inkurajues e për çdo mbështetje zemre.

Ju përqafoj të gjithëve!