Nga Anila Dedaj
Një vend baltik nën pushtimin e Perandorisë Ruse, që në vitin 1905 kërkon pavarësinë. Është ky sfondi i romanit historik të Osvald Zebris “Nën hijen e Kodrës së gjelave”, i sjellë në shqip nga Anxhela Çikopano. Autori, fitues i Çmimit Europian të Letërsisë për 2017-n, tregon në një intervistë për “Tvt.al”, se si lindi libri i tij, kërkimet në arkiva dhe përkimet me historinë shqiptare. Po ashtu, ai ndalet në linjën letrare të romanit. Dy shokë fëmijërie rritur në një Kodër që revolucioni kundër carit, i vendos përballë. Zebris gërmon në mes vrullit të ndryshimeve historike, në brendinë e dy individëve që i bashkon një miqësi e i ndan mentaliteti i ndryshëm, pa mundur të shmangë tragjedinë, që do të pasohet nga të tjera fate dramatike.
Zoti Zebris, në romanin tuaj “Nën hijen e Kodrës së gjelave” ktheheni një shekull pas në kohë, kur Letonia ende nuk ishte shtet. Çfarë ju bëri të përqendroheshit në këtë periudhë historike?
Romani im është pjesë e një kolane historike më të zgjeruar rreth Letonisë së shekullit të XX (“Ne. Letonia, shekulli XX”). Tetë vite më parë, një grup shkrimtarësh letonezë ranë dakord që të mbulonim shekullin e XX dhe secili prej nesh shkroi nga një roman për një periudhë të caktuar të vendit tonë. Kjo, duke u mbështetur në idenë se Letonia dhe krijimi i saj ka kaluar përmes pushtimit, deri në vitet ’90, kur pas uzurpimit sovjetik, ne shpallëm pavarësinë tonë për të dytën herë në shekullin e XX. Kështu, ne patëm 13 romane të botuar, në të cilat trajtoheshin shumë çështje rreth trashëgimisë dhe përvojës sonë. Mua m’u dha mundësia të shkruaja romanin e parë të kësaj serie, duke u përqendruar në vitin 1905 dhe isha (jam) shumë i lumtur që të mbuloj këtë periudhë specifike, ku ndodhin një sërë ngjarjesh me rëndësi. Protestat në qytetet industriale dhe në fshatra kishin sfonde të ndryshme, por revolucioni ndodhi në një kohë specifike në të gjithë vendin. Pra, kishte disa forca pas tyre që organizuan të gjithë ngjarjen. Për mua, ishte me të vërtetë joshëse, që të zbuloja – çfarë dhe si kishte ndodhur.
Përmes përshkrimit i sillni imazhet e asaj periudhe të gjalla, po ashtu, ngjarjet politike dhe ato shoqërore. Cilat kanë qenë referencat tuaja për të krijuar të gjithë këtë panoramë?
Romani bazohet në tre burime kryesore - së pari, shkrime historike rreth asaj kohe; së dyti, - ditarët dhe kujtimet e njerëzve që morën pjesë në ngjarjet e vitit 1905 dhe e treta - tekste të tjera letrare që mbulojnë situatën në Riga dhe Letoninë e sotme në fillim të shekullit XX.
Gjatë pushtimit sovjetik, ngjarjet e vitit 1905 u treguan përmes këndvështrimit propagandistik që nxiti protestat shoqërore, kështu që mua më është dashur të jem i kujdesshëm në përzgjedhjen e fakteve dhe sfondit historik.
Unë nuk jam një historian, - dhe më janë dashur afro 8 muaj vetëm për punën kërkimore. U përpoqa të krijoja atmosferën e fillimit të shekullit XX - kur gjuha ishte ndryshe, qytetet, struktura shoqërore dhe të menduarit po ashtu.
Në romanin tuaj, ju vendosni historinë e dy shokëve fqinjë të fëmijërisë që kthehen në rivalë. Më vonë do të zbulojmë se lidhja e tyre është më e ngushtë së kaq. A vjen kjo si një simbolikë e konflikteve që ndodhin mes popullit leton, për të treguar dëmin tragjik,që betejat e vogla civile i shkaktojnë pavarësisë së mundshme të shtetit dhe individëve?
“Nën hijen e Kodrës së gjelave” nuk është thjesht një roman për një periudhë ogurzezë sa i përket procesit të lindjes së kombit leton. Është gjithashtu një histori e pafuqisë njerëzore dhe frikës paralizuese të vetë individit, të frikacakut, të dobët dhe mëkatit të brendshëm që ai ushqen në mënyrë të pashmangshme, të ndjesisë së fajit që gjunjëzon njeriun, duke e torturuar atë, duke e bërë që të kërkojë rrugën e tij të shpengimit, duke e mashtruar dhe duke i vjedhur atij atë çka është më e shtrenjtë për të – humanizmin e tij.
Dy miq (vëllezër), me mendësi krejtësisht të ndryshme, por me energji dhe vitalitet, na tregojnë dy fate krejtësisht të ndryshme. Unë jam përpjekur të theksoj se energjia është vetëm një pjesë e medaljes. Pjesa tjetër është një vendi / rrethanat në të cilat ne kemi lindur. Kjo na fal ne një lloj vendosmërie dhe është ky shkaku se pse një vëlla jeton në një kodër dhe tjetri në hijen e saj. Pra, në një farë mënyre, kjo është një histori rreth përputhshmërisë së këtyre dy pjesëve - fatit dhe vullnetit tonë të lirë.
Mësuesi i fshatit është një tjetër figurë kyçe e zgjimit të ndërgjegjes kombëtare, ruajtjes së gjuhës. Fati i tij tragjik duket se është i lidhur ngushtë me fatin e kombit. Çfarë ka ndodhur realisht me mësuesit dhe intelektualët në vitin 1905?
Ekziston një fenomen, që lidhet me vitin 1905, të cilin unë kam dashur ta nënvizoj në veçanti. Bëhet fjalë për fatin e hidhur të brezit të parë të mësuesve letonezë. Gjatë shtypjes së revolucionit, pushteti bazohet në supozime të caktuara sa i përket qendrave ideologjike të të gjitha trazirave. Është mjaft e qartë që mësuesit letonezë, grupi i parë i intelektualëve tanë të vendosur, ishin ata që kanë vuajtur më shumë. Gjatë punës së tij me "Mësuesit Letonezë viktima të Revolucionit të vitit 1905", mësuesi dhe folkloristi Pēteris Birkerts ka mbledhur të dhëna në lidhje me fatin e 750 prej këtyre profesionistëve. Sipas tij, lloje të ndryshme masakrash kanë prekur rreth 1000 mësues - një shifër tronditëse, duke pasur parasysh që numri i popullsisë së Letonisë që jetonin në territorin e Letonisë së sotme kishte qenë rreth 1.3 milion në fund të shekullit XIX.
Pas çmimit Europian për Letërsinë në 2017-n, libri juaj është përkthyer në dhjetëra gjuhë, mes të cilave edhe shqipja. Keni dëgjuar për Shqipërinë dhe a e njihni sadopak letërsinë tonë?
Shumë pak di rreth vendit tuaj – si për shembull faktin që shqipja është një gjuhë shumë unike e që nuk lidhet me gjuhët e tjera europiane. Diçka e ngjashme me gjuhën letoneze – ne jemi pjesë e degës së gjuhëve baltike, ku janë vetëm dy gjuhë të gjalla letonisht dhe lituanisht (dhe gjuha latgaliane, që është e ngjashme me letonishten, e që përdoret në një pjesë të Letonisë). Dhe njoh po ashtu - Ismail Kadarenë me vepra si " Lulet e ftohta të marsit " (“Spring Flowers, Spring Frost”), që është përkthyer në letonisht.
Mes historisë së Letonisë dhe Shqipërisë ka një ngjashmëri rastësore historike. Qoftë për përpjekjet për pavarësi në vitet e para 1900-s, ashtu edhe për “pushtimin” e Bashkimit Sovjetik deri në 1990. (Në vendin tonë u vendos regjimi komunist). Si është panorama e përgjithshme e jetës sot në Letoni? Sa ndihet pesha e së kaluarës?
Letonia e ditëve të sotme është pjesë e Bashkimit Europian dhe NATO-s, dhe është duke bërë përpjekje për të krijuar një ekonomi të stabilizuar, pasi ne nuk kemi resurse natyrore (përveç druve). Trashëgimia industriale nga koha sovjetike është më shumë një barrë se sa pasuri (me përjashtime të vogla). Ne e kemi pasur shumë të fuqishëm sektorin bujqësor dhe eksporti ka qenë në rritje të konsiderueshme para pushtimit, ndërsa tani jemi duke bërë përpjekje për të krijuar një traditë të fortë të bujqësisë në jetën moderne. Kështu, Letonia (dhe vendet baltike fqinje- Lituania dhe Estonia), 30 vite pasi kanë rifituar pavarësinë, janë duke bërë betejën e tyre me pasojat e pushtimit dhe për t’u integruar plotësisht në shtëpinë tonë historike – Europën.
Edhe në romanin tuaj e vini theksin tek njerëzit e dijes e të kulturës, në të cilët bëni pjesë dhe ju. Sa impakt kanë brenda dhe jashtë vendit leton kjo pjesë intelektuale e shoqërisë?
Si shkrimtar do doja të nënvizoja rëndësinë e letërsisë. Letërsia na jep një ‘background’ emocional - një dimension që mund të tërheqë vëmendjen tonë dhe të na angazhojë në diçka më shumë se sa thjesht të mësuarit e fakteve. Kjo është arsyeja se pse një vepër arti arrin të zgjerojë këndvështrimin, duke të dhënë një pamje më të qartë të fakteve. Historiani britanik Peter Brown në një intervistë të tijën e quajti tolerancën e të qenit ndryshe, si “domosdoshmërinë më të rëndësishme morale”. Dhe kjo cilësi, pa dyshim mund të vijë vetëm duke u përpjekur të kuptosh. Kështu, letërsia mund të na ndihmojë të kuptojmë veten dhe njerëzit e tjerë përreth nesh.



