
Projektligji i ri “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”, i njohur ndryshe si “Fiskalizimi” sipas opozitës është tenderi i radhës korruptiv. Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka deklaruar sot në konferencën për mediat se me këtë sistem të ri dalin nga përdorimi 140 mijë kasa fiskale, dhe u vidhen taksapaguesve shqiptar 14 milionë euro çdo vit.
“Rasti më i fundit i kapjes së shtetit është kontrata për faturimin elektronik. Është një projekt nga i cili Edi Rama dhe klientët e tij kanë planifikuar të vjedhin nga bizneset me qindra miliona euro në vitet e ardhshme. Me qindra e miliona euro. Edi Rama bëri një ligj për të krijuar një sistem të ri, i cili i detyron bizneset të blejnë aparatura të reja dhe programe të reja kompjuterike, të cilat do të blihen nga klientët e tij. Aktualisht janë 140 mijë kasa në përdorim, secila duhet të zëvendësohet më një kompjuter Ipad dhe program të ri që do të kushtojnë të paktën 250 euro aparaturën që do të thotë mbi 30 milionë euro nga bizneset dhe 50-100 euro në vit programi kompjuterik dhe mirëmbajtja që i bie deri 14 milionë euro çdo vit. Në 10 vjet, i bëni llogarit, bëhet fjalë për deri 170 milionë euro që do të përfitohen nga Edi Rama dhe klientët e tij: do zhvaten bizneset që të vjedhë Edi Rama. Tenderi i bërë për të krijuar këtë sistem ka qenë një tender tërësisht i korruptuar i sajuar, me të cilin do vidhen menjëherë mbi 10 milionë euro”, ka deklaruar kryedemokrati Lulzim Basha. Nëse e marrim të mirëqenë këtë deklaratë një kosto e tillë do të ishte një marrë e madhe për biznesin dhe shqiptarët”.
Ndërkohë pas këtij prononcimi, Gazetarja e TemA TV, pyeti sot Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, nëse akuzat e opozitës janë të vërteta. MFE e mohon kategorikisht që kasat do të ndërrohen dhe që kostoja do të jetë 14 milionë euro, ose 170 milionë euro në 10 vite. Për momentin mbetet e paqartë se çdo të ndodh në muajit në vazhdim. Ditë më parë gjatë prezantimit të projektit të “Fiskalizimit”, ministrja e Financave Anila Denaj, informoi se projektligji synon krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të bizneseve në vend, bazuar në një sistem të ri të pajisjeve fiskale. Madje në fjalën e saj këtë sistem e quajti “gjenerata e re e kasave fiskale”, dhe nuk e ka mohuar faktin që mund të ketë edhe ndërrim të pajisjeve fiskale.
Të njëjtën gjë ka deklaruar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Fiskale në MFE, Niko Lera, i cili pohoi për TemA TV, se shumica e kasave mund të modifikohen ndërsa një pjesë e tyre mund të dalin nga përdorimi. Mirëpo Ministria e Financave, ende nuk ka dalë në një deklaratë publike, dhe të mohojë faktin që kasat fiskale do të hiqen nga qarkullimi, pavarësisht se TCh raportoi se do të ketë ndërrim për çdo kasë fiskale. Sot, pas reagimit të ditëve të fundit, nga Agron Shehaj dhe pastaj nga vetë Lulzim Basha, ku u akuzua dhe MFE për procesin, më në fund Ministria mohoi ketë kosto shtesë, si dhe mohon ndërrimin total të kasave.



