SPAK publikon raportin 2025/ 871 procedime penale dhe 197 të dënuar, mbi 45 mln euro pasuri të sekuestruara

SPAK publikon raportin 2025/ 871 procedime penale dhe 197 të dënuar, mbi 45 mln euro pasuri të sekuestruara

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, publikoi më 9 mars Raportin Vjetor për vitin 2025, ku pasqyrohen zhvillimet dhe rezultatet kryesore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.

 

Sipas raportit, gjatë vitit 2025 është shënuar rritje e volumit të hetimeve penale krahasuar me vitin 2024. Në total janë hetuar 871 procedime penale, prej të cilave 294 janë raste të reja dhe 577 procedime të mbartura nga viti i kaluar.

 

Vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara arriti në rreth 45.4 milionë euro. Nga kjo shumë, 43.49 milionë euro përfaqësojnë pasuri të sekuestruara, ndërsa 1.91 milionë euro pasuri të konfiskuara. Në këtë vlerë përfshihet edhe sekuestrimi i kriptovalutës Tether (USDT) me një vlerë ekuivalente prej rreth 12.4 milionë euro.

 

Në fokus të hetimeve kanë qenë edhe zyrtarët e nivelit të lartë. Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 6 procedime të reja dhe 16 persona janë vënë nën hetim. Nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë nën hetim, 18 janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, ndërsa 10 prej tyre janë dënuar me vendime të formës së prerë.

 

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Klodjan Braho, u shpreh se të dhënat e raportit tregojnë progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa theksoi se hetimet ndaj zyrtarëve që abuzojnë me detyrën do të vijojnë me intensitet.

 

Në arritjet e SPAK ka luajtur rol edhe forcimi i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për hetimin e çdo personi që ka kryer vepër penale, duke treguar se askush nuk është mbi ligjin”, tha Braho.

 

Raporti evidenton gjithashtu rritje të hetimeve për korrupsion. Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 24 procedime me 147 të pandehur për korrupsion jo të nivelit të lartë dhe 10 procedime me 13 të pandehur për korrupsion të nivelit të lartë. Në total janë hetuar 220 çështje që lidhen me korrupsionin, ndërsa 156 prej tyre janë përfunduar.

 

Edhe në luftën kundër krimit të organizuar është shënuar rritje. Numri i çështjeve dhe hetimeve të përfunduara është rritur nga 58 në vitin 2024 në 60 gjatë vitit 2025, ndërsa krahasuar me një vit më parë është shënuar rritje me 11.5% e personave nën hetim dhe me 36.6% e personave të dërguar në gjykatë.

 

Gjatë vitit 2025, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë 66 vendime dënimi, me 197 persona të shpallur fajtorë. Nga këto, 41 vendime me 108 persona të dënuar lidhen me korrupsionin dhe vepra të tjera penale, ndërsa 25 vendime me 89 persona të dënuar lidhen me krimin e organizuar.

 

Raporti thekson gjithashtu një ulje të përdorimit të masës së sigurisë “arrest me burg”. Përdorimi i kësaj mase është ulur me rreth 53.4%, duke reflektuar një rritje të përdorimit të masave alternative të sigurisë.

 

Sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, SPAK ka regjistruar 95 kërkesa për ndihmë juridike nga jashtë, me një rritje prej 35.7% krahasuar me vitin 2024, ndërsa 66.3% e tyre janë ekzekutuar brenda vitit. Partnerët kryesorë përfshijnë Eurojust, Interpol dhe Europol, si dhe autoritetet e Shteteve të Bashkuara dhe vendet e rajonit.

 

Sipas raportit, viti 2025 shënon progres në forcimin e një qasjeje më të qëndrueshme dhe transparente në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmes rritjes së hetimeve, sekuestrimit të pasurive me origjinë të paligjshme dhe zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy