
E djathta e qendrës në opozitë, Demokracia e Re, ka fituar raundin e dytë të zgjedhjeve vendore që u mbajtën dje në Greqi. Kandidatët e mbështetur nga konservatorët grekë arritën të merrnin drejtimin e Athinës dhe shumicës së rajoneve të tjera. Suksesi i së të dielës që lamë pas, për Demokracinë e Re përsërit suksesin e 26 majit, në raundin e parë të zgjedhjeve vendore dhe ato për Parlamentin Europian, që u mbajtën në të njëjtën ditë.
Në Athinë, Ksotas Bakoyannis (në foto), djali i ish-kryebashkiakes konservatore, Dora Bakoyannis, dhe nip i liderit të opozitës Kyriakos Mitsotakis, arriti të merrte 65% të votave, duke mundur thellë rivalin e mbështetur nga Syriza, partia e majtë në pushtet.
Rezultati i javës së kaluar, me vetëm ¼ e votave në favor të kryeministrit Alexis Tsipras, e detyroi këtë të fundit të shpallte zgjedhjet e parakohshme, që do të mbahen më 7 korrik, tre muaj para afatit. Kjo pritet t’i japë fund ambicies së Tsiprasit për t’u bërë kryeministri i parë grek në 3 dekadat e fundit që çon deri në fund mandatin e tij.
Demokracia e Re fitoi pesë nga 13 qeveritë rajonale të qarqeve në raundin e parë të zgjedhjeve lokale. Ndërsa në raundin e dytë, kandidatët e saj morën 12 nga 13 rajonet e gjithë Greqisë.



