
Pedagogu Erlis Çela në studion e lajmeve në MCN Live ka komentuar mbi zgjedhjet e pjesshme vendore dhe koalicionin e Rithemelimit me LSI. Sa i përket zgjedhjeve të 6 marsit, Çela tha se PD ishte e detyruar të merrte pjesë dhe se kjo do të shërbejë dy fraksioneve të krijuara si një forcë për të matur elektoratin.
Ndërsa lidhur me koalicionin “Shtëpia e Lirisë”, ai e cilësoi si një dështim të foltoreve dhe siç ai shprehet kjo do të vërë në vështirësi vetë Berishën dhe mbështetësit e tij.
Mendoj se ajo që bie në sy te PD është një ndryshim trajektore e dukshme për tu përfshirë në garë. Po legjitimon një palë zgjedhje që PD i kishte cilësuar si farsë. Të dyja palët e PD duhet të tregojnë pse i braktisën zgjedhjet dhe tani i legjitimojnë. Si Berisha dhe Basha nxituan duke konfirmuar pjesëmarrjen në këto zgjedhje pa dhënë një sqarim sepse i bojkotuan para 3 vitesh. Tashmë duket se PD ishte e detyruar të merrte pjesë në këtë garë për shkak të zhvillimeve të brendshme, por ato nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe përveçse do shërbejnë për të matur dy fraksionet forcën e tyre në elektorat. Përfituesi më i madh i gjithë kësaj mbetet maxhoranca.
Sa i përket koalicionit “Shtëpia e Lirisë” ai është një lloj dështimi i foltoreve sepse vë në pozita të vështira vetë Berishën dhe mbështetësit e tij, sepse duhet të shpjegojnë pse janë rikthyer prapë te një koalicion me LSI, bashkëpunimet me të cilën kanë qenë gjithmonë të vështira, të bëra nga halli, por palët nuk e kanë dashur në asnjë rast këtë bashkëpunim dhe nuk ka funksionuar. Mbetet për tu parë sepse LSI është e strukturuar në bazë por si imazh foltorja ngriti një pritshmëri të madhe. Në këto kushte koalicioni mendoj se do e këtë të vështirë, por duhet parë sepse janë njëlloj testi.



