
Mëngjesin e sotëm janë mbyllur të gjitha vatrat e zjarrit në fushën e mbeturinave, të cilat prej disa ditësh lëshonin tym toksik duke mbuluar gjithë qytetin.
Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi , në një deklaratë për media ka njoftuar se janë mbyllur tashmë të gjitha vatrat e zjarrit në fushën e mbetjeve që “mbytën” qytetin me tym prej 5 ditësh.
“Dua t’ju komunikoj sot është lajmi që përfundimisht zjarri në të gjithë fushën e mbetjeve këtu është vënë n ë kontroll të plotë. Nuk ka më as tym asgjë. Është një punë shumë voluminoze që është bërë në të gjithë këto ditë”.
Ai tha gjithashtu se nuk do të ndërpresim punën dhe do ta vijojmë me mbulimin e saj me dhe deri në atë lartësi që është e nevojshme.
“ Pas kësaj faze do të vazhdojmë në tetor me mbjelljen e 5 mijë-7 mijë pemëve në të gjithë këtë fushë”.
Subashi tha gjithashtu se nuk do ketë depozitim mbetjesh më në këtë fushë dhe se nga nesër i transportojnë për në incenerator.
"Kemi biseduar këto edhe me koncesionarin dhe kemi rënë dakord që nga nesër pasdite të gjitha mbetjet që krijohen në Bashkinë e Fierit do të shkojnë në incenerator. Vjeshta do të jetë edhe periudha kur e gjithë kjo fushë do të pyllëzohet dhe gradualisht do të kthejmë nga një gangrenë në një park të vogël. Do të jetë një kujtim i hidhur”.
Ditë më parë në një reagim për mediat, Shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k ka sqaruar se lajmet që e lidhin inceneratorin me situatën e krijuar janë tërësisht të pavërteta. Sipas shoqërisë venddepozitimi i mbetjeve urbane të qarkut Fier, është në funksion dhe operativ si dhe në përputhshmëri të plotë me legjislacionin në fuqi dhe me standarte të larta ndërkombëtare. Gjithashtu kjo kompani ka bërë të ditur se është pajisur me leje Mjedisi të Tipit A. e nevojshme për ushtrimin e kësaj veprimtarie.



