
Tetë muaj pasi u prezantua drafti, qeveria ka miratuar “Planin e menaxhimit të integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit”. Vendimi i marrë nga Këshilli i Ministrave me propozim të ministres së Kulturës, Elva Margariti, ka hyrë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare.
Në bazë të vendimit, për dhjetë vjet, Parku i Butrintit do të menaxhohet nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Plani i menaxhimit është miratuar edhe nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë.
Ai synon të prodhojë, krahas planit të përgjithshëm të menaxhimit, një plan biznesi të ri për zonën UNESCO të Butrintit, si dhe përgatitjen e një harte të përditësuar GIS për gjithë territorin e Parkun Kombëtar të Butrintit. Plani i ri u prezantua për herë të parë në tetor të vitit të kaluar. Formula e re e menaxhimit të Butrintit, për të cilën ka pasur debate më parë, vjen në zbatim të ligjit të ri për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, i cili parashikon si risi, krijimin e fondacioneve kulturore.
Në prezantimin e planit një vit më parë, ministrja Margariti tha se praktika e bashkëpunimit të shtetit me fondacionet ndiqet në të gjithë botën dhe në rastin e Butrintit thjesht po adaptohet.



