
Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka reaguar për herë të parë pas lënies së mandatit të deputetit nga Saimir Tahiri. Lu e vlerësoi faktin që Tahiri do të përballet me drejtësinë si një qytetar I zakonshëm. “Hetimet po vazhdojnë ndaj Saimir Tahirit dhe Adriatik Llalla. Askush nuk është mbi ligjin. irëpresim që Tahiri do të përballet me drejtësinë si qytetar i zakonshëm pa imunitet“, tha ai.
Diplomati amerikan renditi disa emra politikanësh, të cilët janë larguar nga parlamenti dhe bashkitë. Sipas tij, kjo ka ardhur falë disa gazetarëve kurajozë që patën guximin të shkruanin për ta. Në këtë mënyrë, Lu hedh poshtë një kauzat që PD-ja thotë se ka ngritur dhe çuar në fund: dekriminalizmin.
“Mund të shoh se shoqëria civile ka arritur fitore të jashtëzakonshme në tre vitet e fundit. Për dekriminalizimin, gazetarë të guximshëm ishin të gatshëm të shkruanin për Arben Ndokën, Elvis Rroshin, Mark Frokun, Aqif Rakipin, Shukri Xhelilin, Koço Kokëdhimën dhe Dashamir Tahirin. Falë këtyre gazetarëve, këta politikanë nuk janë më në Kuvend apo bashkitë”, tha ai.



