
Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, ka reaguar pas publikimit në disa media dhe rrjete sociale të pretendimeve se emri i tij përmendet në të ashtuquajturat përgjime të SPAK-ut , ku aludohet se ai ka premtuar dhurimin e tokave në zonën e Gjirit të Gramës për persona të lidhur me krimin e organizuar.
Në një reagim publil në rrjetin e tij social Facebook, Tavo i ka cilësuar këto pretendime si tërësisht të pavërteta dhe ka renditur disa argumente në mbrojtje të tij.
“Së pari: Aludimet lidhen me një përgjim të aktorëve të krimit të organizuar, në korrik 2024. Atë kohë unë nuk kam qenë kryetar bashkie e nuk kam mbajtur asnjë funksion drejtues shtetëror, apo të kem patur ndonjë kompetencë vendimmarrëse që lidhet me menaxhimin e territorit.
Së dyti: Edhe sikur unë të kisha qenë kryetar i bashkisë Himarë, edhe sikur unë të kisha mundësinë të dhuroja territoret e bashkisë njërit apo tjetrit, ka një gjë shumë të thjeshtë: Gjiri i Gramës, të nderuar lexues, gazetarë e deputetë, nuk është nën juridiksionin administrativ të Bashkisë Himarë. Kjo zonë gjeografike dhe turistike i përket Bashkisë së Vlorës, dhe Vangjel Tavo, nuk mund t’ia premtonte askujt për t’ia “dhuruar”.
Së treti: Mediat apo portalet, me pronarë të njohur e të panjohur, nëse duan të bëjnë gazetari investigative, duhet të bëjnë gjënë më të tjeshtë; një telefontë personit që atakohet. Pyeteni! Po ta kishin bërë do të kishit mësuar se unë nuk kam patur asnjë detyrë atë kohë dhe zona për të cilën flitet nuk është fare nën juridiksionin e bashkisë që unë drejtoj tashmë.
Ose mjafton të bënit një kërkim të thjeshtë në Google dhe mëson edhe më shpejt të njëjtat gjëra, pa rënë në gabime që dëshmojnë injorancë në çdo drejtim. Por, mesa duket, qëllimi nuk ka qenë të bëhet gazetari, por të denigrohet një person dhe një zyrtar publik”, shkruan Tavo ndër të tjera në reagimin e tij.
Kryebashkiaku i Himarës shprehet se mediat që publikuan pretendimet nuk e kontaktuan për të marrë qëndrimin e tij dhe nuk kryen as verifikimet më elementare mbi faktet.
Tavo ka kritikuar edhe përfshirjen e deputetëve të opozitës në përhapjen e këtyre pretendimeve, duke i akuzuar se po përdorin shpifjen për përfitime politike.



