Drejtori i përgjithshëm i Partizanit Olsi Rama duke folur në emisionin “Bilardo” tregoi se si i lindi ideja për të pasur një pozicion menaxherial në klubin e “kuq” dhe raportin me Presidentin Demi. Ndër të tjera Olsi Rama zbuloi një bisedë që pati me vëllain e tij, kryeministrin Edi Rama, pasi ishte arritur marrëveshja për ngritjen e Akademisë së Manchester City-t në Durrës.
Lidhur me afrimin e tij te Partizani, Olsi Rama rrëfen:
Ka përkuar që kur jam kthyer në Shqipëri kam ndenjur pranë Partizanit, prej miqësisë, prej njohjes me Gaz Demin, për faktin që më pëlqen jashtëzakonisht sporti dhe më pëlqen që rinia të merret me sport. Personi i parë që më tha që ‘pse nuk bëhesh ti drejtor i Partizanit’ ka qenë një trajner italian që ka qenë te Partizani në 2016-ën, Andrea Agostinelli. Ai pa mbase pasionin dhe idetë e mia për sportin. Ajo që ndodhi, ndodhi më shumë se një vit më vonë, në përpjekjet e veta për të rritur gjithmonë standard-et e Partizanit, Gazi bëri një sakrificë që mori si drejtor Luciano Moggi-n dhe ai mori përsipër këtë punë duke sjellë edhe një drejtor sportive dhe Mark Lulianon si trajner. Me gjithë investimet e mëdha rezultatet nuk po vinin. Ka qenë nëntori i 2017-ës, aty ishte ku Gazi mu afrua dhe më tha: Besoj që ka ardhur momenti, mund të ndihmosh Partizanin”.
I pyetur nëse është përplasur ndonjëherë me Presidentin Gaz Demi, dhe si janë raportet me të, ai shprehet:
Besoj që të dy kemi aq ndershmëri sa të kemi guximin t’ia themi njëri-tjetrit gjërat në sy pa u përplasur, duke u munduar gjithmonë që të jemi konstruktiv në raport me atë çka shohim, dhe duke u munduar për të bërë zgjedhjen më të mirë. Për mua sukses në qoftë se do largohesha nga Partizani një ditë, dhe do të thoja cili do të ishte suksesi i punës sime, do të ishte ndërtimi i një modeli të qëndrueshëm të një pune të bazuar në standarde bashkëkohore dhe në ndershmëri, në kuptimin që klubi i Partizanit njihet që është një klub që respekton lojtarët, respekton kundërshtarët, përpiqet gjithmonë të ngrejë nivelit. Suksesi është që edhe kur unë e Gazi të largohemi nga kjo punë klubi të vazhdojë të ketë krijuar një traditë pune dhe të vazhdojë në këto binarë”.
Duke treguar komunikimin e parë me vëllain kryeministër lidhur me Akademinë e Manchester City-t në Durrës, Olsi Rama thotë:
E mbaj mend sepse në një nga komunikimet e rralla më merr shumë i entuziazmuar dhe më thotë: Kam arritur të bëjë akademinë e Manchester City-t në Durrës, dhe automatikisht në mënyrën më normale të mundshme për një mentalitet shqiptari, më doli vet pyetja, thashë: Pse në Durrës dhe jo në Tiranë?! Sepse ndërkohë që Tirana ka më shumë resurse dhe mundësi për t’u zhvilluar në mënyrën e vet indipendente, Durrësi është një qytet shumë i bukur që ka shumë potencial edhe me zhvillimet turistike, që ka më shumë nevojë për një shtysë të tillë, që të ketë disa pole që të zhvillohet futbolli. Në momentin që më doli pyetja, aty thashë im vëlla sheh një kuadër më të gjerë, një perspektivë më të plotë, dhe në fund të fundit s’ka përse ta sjellë te Partizani. Partizani mund të bëjë një binjakëzim me një akademi tjetër”.



