
Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD Aleksandër Biberaj analizoi në MCN Live zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare, ku së fundmi një raketë ra në territorin polak, e për pasojë mbetën të vdekur 2 persona.
Biberaj mendon se situata nuk do të agravojë, pasi përndryshe do të ishte dështim i diplomacisë botërore.
Biberaj vë në dukje që Moska nuk ka aktualisht interes për provokim të situatës.
Megjithatë Biberaj nuk përjashton që raketa të jetë hedhur nga grupe radikale, apo ilegale ruse.
Nuk mendoj se do të agravojë situata. Duket sikur është në prag shpërthimi. Ai ka qenë një incident i rëndë, por s’është e thënë që ato raketat të jenë nisur nga Rusia pavarësisht se janë prodhim rus, po i referohem deklaratave të Biden. Ka edhe grupe radikale që dalin jashtë kontrollit. Në protokollin e NATO-s parashikohet që nëse një vend sulmohet reagojnë të gjitha vendet, por s’besoj se do ketë nevojë për aktivizimin e kësaj procedure. Së pari duhet sqaruar kush është burimi i raketave. Besoj që të gjitha kanalet e shërbimit diplomatik duhet të aktivizohen, për të ulur gjakrat. Nëse do ndodhte do ishte dështim i diplomacisë botërore dhe me përmasa katastrofike. Patjetër që liderët botërorë kanë përgjegjësinë për mos agravim të situatës. Prononcimet janë të ekuilibruara. Nuk mendoj që Rusia ka interes për të bërë një provokim të tillë. Rusët dhe sllavët mbeten provokues. Por në këtë moment nuk ka interes për të bërë një provokim të tillë. Mund të jetë veprim i grupeve të pakontrolluara. Vlerësoj qëndrimet e Presidentit amerikan, Presidentit turk për t’i hedhur ujë zjarrit, jo benzinë. Polonia do marrë gjithë masat. Presidenti dhe kryeministri kanë thirrur Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ushtria polake do jetë në gatishmëri pa asnjë diskutim, është një sulm. Është një shqetësim real, por s’besoj se do eskalojë situata. Besoj që përmes droneve do zbardhet situata, kush i ka nisur raketat dhe të përfundojë me kaq. Është pozitive që Rusia e ka mohuar që në momentin e parë dhe mund t’i besohet. Rusisë po i shterojnë fuqitë ushtarake, ekonomike dhe diplomatike. Mund të jetë edhe një vendim për të larguar vëmendjen nga Samiti G20. Mund të jetë edhe një veprim i grupeve separatiste ruse, ilegale. Por nuk mendoj që Rusia ka nevojë për provokime të tilla”.
Biberaj nuk sheh mundësi për konflikt Ankara-Athinë, duke u shprehur se Erdogan thjesht po bën lojën e tij, duke u dëshmuar si një lojtar i fuqishëm ndërkombëtar.
Presidenti turk është për t’u përshëndetur për lojën politike që bën, është bërë një prej 5 liderëve më influentë në botë. Tregon se është lojtar i fuqishëm. Erdoganin e shoh në variantin win-win. Çfarëdolloj lëvizje e bën për vete si lider dhe vendin e vet. Nuk shoh ndonjë rrezik për kufijtë, apo për luftë Greqi-Turqi. E tejkalon pak vijën e kuqe me deklaratat, por kam bindjen se do mbetet në kuadrin e deklaratave. Nuk shoh që Turqia përbën kërcënim për Greqinë, thjesht po bën lojën e vet. Me Trump-in ka pasur përplasje, me Biden-it janë përpjekur të qetësojnë ujërat”.
Duke u ndalur te rreziqet që i kanosen Ballkanit, Biberaj tha se Serbia nuk ka fuqi për të shkaktuar një tjetër luftë në Kosovë.
Nuk shoh rrezik potencial. Sllavët janë provokatorë të jashtëzakonshëm, i njoh shumë mirë, si bëjnë lojën dhe diplomacinë. Mjeti kryesor i tyre është provokimi dhe mashtrimi. Janë të zotë që mizën ta bëjnë buall, qimen ta bëjnë tra. Përpiqeshin që një manastir që digjej në Kosovë të kishte publicitet më shumë se qindra mijëra viktimat e luftës në Kosovë. Janë mjeshtër, por mendoj se u ka dalë boja, por nuk ka fuqi. Nuk ka fuqi sot Serbia për të shkaktuar luftra më. Aq më tepër që aleati i tyre kryesor, Rusia, është e dobët për vete. Mesazhet e Perëndimit dhe NATO-s kanë qenë të qarta që s’mund të lejojnë destabilitet në Kosovë. Po vjen momenti që Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe në një farë mënyre plani franko-gjerman këtë parashikon. Nuk ka serb që s’e di që Kosova është e humbur për ta. Do përpiqen ta shesin njohjen e Kosovës sa më shtrenjtë të jetë e mundur. Nuk ka objekt tjetër për negociata përveç njohjes së Kosovës. Nyja gordiane është njohja e Kosovës nga Serbia”.



