Sa duhet t’u besojmë studimeve? New York Times zbulon lobimin pas studimit për mishin e kuq

Sa duhet t’u besojmë studimeve? New York Times zbulon lobimin pas studimit për mishin e kuq

Jetojmë në një epokë ku fake news-i ia ka dalë të hapë edhe dyert e shkencës. Vitet e fundit, studimet e publikuara herë pas here, sidomos ato që kanë të bëjnë me të ushqyerit, kanë filluar të shihen me dyshim, për shkak të mundësisë së ndikimit nga kompani të mëdha, të cilave u preken interesat apo u rritet fitimi. Rasti i fundit ka të bëjë me një studim që lidh konsumin e mishit të kuq me disa sëmundje. Në fakt, ndryshe nga sa është thënë shpesh nga studiues të tjerë dhe është paralajmëruar nga OBSH-ja, studimi në fjalë e paraqet lidhjen mes mishit të kuq dhe sëmundjeve më të dobët, në mos inekzistente. “New York Times” ka investiguar mbi këtë dhe ka gjetur lidhje mes autorit të studimit dhe emrave të mëdhenj në industrinë ushqimore.  

Sipas artikullit në gazetën amerikane, epidemiologu kanadez Bradley C. Johnston nga Universiteti Dalhousie, autori kryesor i studimit të botuar në revistën prestigjioze “Annals of Medicine Medicine” (që gjithashtu rrezikon të humbasë besueshmërinë te publiku), ka marrë fonde nga Instituti Ndërkombëtar i Shkencave të Jetës (ILSI) deri në vitin 2016.

ILSI është themeluar 40 vjet më parë nga Coca-Cola dhe kolosë së tjerë të industrisë agroalimentare. Aktualisht, mes partnerëve të tij janë emra si McDonalds, Cargill dhe Pepsi Cola. Zyrtarisht një OJF, në realitet ILSI lobon fuqishëm në të gjithë botën pikërisht përmes financimit të njerëzve dhe iniciativave të konsideruara të favorshme për interesat e anëtarëve të saj. Në këtë mënyrë tashmë ka arritur të ndikojë në vendime të rëndësishme të shëndetit publik në favor të tij. Për këtë arsye, studimet që financon shihen me skepticizëm në rritje.  

Kjo nuk është hera e parë që emri i Bradley C. Johnston lidhet me ILSI-n. Në vitin 2016, me financimin e hapur të tij, ai ka publikuar një studim që shfajësonte sheqerin për lidhjet me obezitetin dhe sëmundje të tjera metabolike. Në atë kohë, studimi u hodh poshtë nga komuniteti shkencor.

Në rastin e studimit për mishin e kuq, lidhjet me financuesit nuk janë direkte. Por sipas hulumtimit të gazetës amerikane, Johnston i ka shijuar paratë e organizatës të paktën 3 vjet para se të publikonte studimin.

Ka gjasa që studimi i Johnston të mbahet mend vetëm për një arsye: është një nga shembujt më të qartë të shkencës së keqe dhe përpjekjes për ta orientuar opinionin publik në një drejtim të kundërt me provat, por në favor të interesave tregtare të palëve të treta.

Nga ana tjetër, me të gjithë forcën që mund të kenë statistikat, flitet për lidhjen midis konsumit të tepruar dhe të rregullt të mishit të kuq dhe atij të përpunuar me rrezikun e zhvillimit të patologjive të ndryshme, duke përfshirë, mbi të gjitha, kancerin e zorrës së trashë, të konfirmuar në dhjetëra e dhjetëra studime të pranuara nga i gjithë komuniteti shkencor ndërkombëtar. / Marrë me shkurtime nga Il Fatto Alimentare / 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy