Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një komunikim për mediat ditën e sotme deklaroi se qeveria do të dalë për herë të gjashtë në tregjet e kapitalit për të emetuar një Eurobond dhe tashmë ka përzgjedhur edhe konsulentin ligjor që do ta udhëheqë këtë transaksion.
Ai tha se qeveria do të kërkojë sërish 500 milionë euro dhe kjo shumë edhe mund të rritet.
Sipas tij, në kushtet kur si pasojë e rritjes së çmimeve qeveria arkëtoi 520 milionë dollarë, dhe ndërkohë që Shqipëria emetoi një Eurobond prej 650 milionë euro në nëntor të vitit 2021, është tepër e dyshimtë humarrja prej 500 milion euro, që e çon borxhin publik nga 107% në vlera akoma edhe më të larta.
Sa kohë Qeveria ka arkëtuar 520 milionë dollarë nga rritja e çmimeve, ndërkohë që çmimet në treg nuk janë ulur, atëherë përse merren edhe 500 milionë euro hua dhe për çfarë?
Është shumë e qartë se fondet e grumbulluara si pasojë e inflacionit të lartë nuk do të përkthehen në më shumë shërbime për qytetarët, por do të abuzohen nga hajdutët e “Rilindjes”, pra do të merret borxh për të financuar korrupsionin dhe skandalet e panumërta financiare.
Banka Botërore në raportin e fundit të saj parashikon një ngadalësim të rritjes ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ngadalësimi i rritjes ekonomike për vitin 2023 do të jetë më i lartë për Shqipërinë krahasuar me vendet e rajonit. Rritja ekonomike për vitin 2023 do ngadalësohet nga 3.5% ne parashikimin fillestar ne 2.2%.
Për vitin 2023 Shqipëria do të jetë vendi me rritjen më të ulët ekonomike krahasuar me vendet e rajonit, pra Shqipëria vazhdon të jetë vendi më pak konkurrues në rajon.
Transparenca dhe llogaridhënia para opinionit publik, në kushtet kur borxhi i radhës prej 500 milionë euro do të rëndojë sërish në kurriz të tyre, është një detyrim i pakapërcyeshëm.
Pyetje që me të drejtë ngrihet në këtë rast është se si ka mundësi që ndërkohë që merret borxh pas borxhi, kjo nuk sjell asnjë efekt pozitiv për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit, përkundrazi projeksionet e institucioneve prestigjoze ndërkombëtare flasin për përkeqësim të treguesve ekonomikë dhe socialë.
Meta deklaroi se së fundmi Banka Botërore ka rishikuar në rritje kufirin e varfërisë ekstreme dhe absolute dhe se kufiri i varfërisë ekstreme vlerësohet të jetë 2.15 dollarë në ditë për person.
Sipas tij, familjet me ndihmë ekonomike në vendin tone vlerësohen të përfitojnë 0.6 dollarë në ditë për person ose 3.6 herë më pak se kufiri i varfërisë ekstreme.
Kufiri i varfërisë absolute, sipas Bankës Botërore, vlerësohet të jetë 6.85 dollarë në ditë. Nën këtë kufi jetojnë gjithë pensionistët e zonave urbane dhe rurale, të gjithë personat me ndihmë papunësie, të gjithë punonjësit familjarë që paguhen në kufirin e pagës minimale dhe përtej saj.
Që të thotë se gati 80% e shqiptarëve jetojnë nën ose në kufirin e varfërisë absolute. Duke vlerësuar situatën kritike në të cilën ka arritur niveli i borxhit publik për të parandaluar një humnere ekonomike e financiare dhe drama të mëtejshme sociale, përsëris thirrjen e Partisë së Lirisë drejtuar Kuvendit dhe institucionet financiare të huaja dhe vendase, për të bërë sa më parë një vlerësim real dhe transparent të borxhit publik duke përfshirë të gjitha detyrimet aktuale dhe ato të pritshme të Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu duhet të bëhet dhe një analizë e ndikimit të tij në qëndrueshmërisë e financave publike dhe në përkeqësimin e parametrave makroekonomikë, me pasojë cenimin e interesit publik të përgjithshëm.
Qeveria ka depozituar një projektligj “Për nxitjen e përdorimit nga burimet e rinovueshme të energjisë”. Sipas këtij projektligji tepër të vonuar, klientët privatë apo publikë si dhe ata familjarë mund të instalojnë një kapacitet total deri në 0.5 MWh për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme për të mbuluar nevojat e tyre dhe për të injektuar energji të tepërt në rrjetin e shpërndarjes.
Ndërkohë viti që lamë pas shënoi një kërkesë në rritje për instalimin e këtyre impianteve, si pasojë e çmimeve tejet të larta të energjisë.
Qeveria rezulton se nuk ka përmbushur asnjë detyrë sipas Planit të Konsoliduar të Veprimit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë ku përgjatë viteve 2019-2020 do të instaloheshin centrale me kapacitete të instaluara prej 490 MgW nga energjia e prodhuar nga burimet e rinovueshme fotovoltaike.
Aktualisht kapacitetet e instaluara të prodhimit të energjisë elektrike nga centralet fotovoltaike është vetëm 23 MgW në total.
Meta shtoi se Partia e Lirisë prej kohësh ka depozituar në Kuvend projektligjin “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, ku ndër të tjera propozon: që për vetëprodhuesit, ndërtimi i kapaciteteve të energjisë nga burimet e rinovueshme deri në 2MË që prodhojnë energji elektrike nga dielli, miratohen nga Operatori i Shpërndarjes, pra jo deri në 0.5 MgW por 2 MgH”.
Pra Qeveria nuk ka pse t’i kufizojë klientët privatë apo publike si dhe klientët familjarë të instalojnë një kapacitet total deri në 0.5 MË për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, por në mbështetje të kërkesave të tyre ne kemi propozuar në projektligj që fasha të jetë deri në 2 MgW dhe ky është interes i qytetarëve, i konsumatorëve, sipërmarrësve por është dhe një interes publik.
Duke e gjykuar se në këtë mënyrë u vijmë në ndihmë familjeve dhe bizneseve që nuk e përballojnë dot koston aktuale të çmimit të energjisë elektrike.
Në këtë mënyrë kontribuojmë që t’i jepet fund korrupsionit të blerjes së energjisë elektrike dhe të gjitha pengesave burokratike për të shfrytëzuar burimet e reja energjetike dhe nevojat në rritje për energji.
Projektligjet e Partisë së Lirisë megjithëse të depozituara prej disa muajsh në Kuvend, janë bllokuar nga “Rilindja” dhe lejohen të shqyrtohen sepse Qeveria ka interes vetëm që korrupsioni të vazhdojë dhe qytetarët të grabiten.
Veçanërisht në kushtet kur për dy termocentralet lundruese, që u morën me qira dyvjeçare për të mbuluar kërkesën për energji elektrike në këtë periudhë krize, vetëm qiraja që do vendosen në brigjet e triportit Vlorë kushton rreth 46 milionë USD, ndërsa ajo e prodhimit të energjië rreth 285 milionë USD.
Pra fatura totale është 336 milion USD. Pa llogaritur faktin që çmimi i energjisë që prodhohet prej tyre është 350 euro/MWh ndërkohë që çmimi në bursën hungareze është 179 euro/MWh.
Pra për të shmangur gjithë këto kosto ekstra dhe aspak efektive për buxhetin e shtetit vlerësojmë se miratimi i nismës ligjore të propozuar nga Partia e Lirisë është jo vetëm një ndihmë e shtuar për buxhetet familjare dhe financat publike, por u jep fund edhe të tilla praktikave korruptive të Qeverisë për blerjen e energjisë.



