Kryeministri Edi Rama bëri me dije gjatë konferencës së përbashkët për mediat me Erdoganin, që Turqia i ka dhuruar Shqipërisë drone kamikazë.
Rama tha se kjo s’duhet të shqetësojë askënd, por përmban mesazhin që “Shqipëria është e pagoditshme”.
“Marrëveshja më e mirëpritur nga ana jonë, ishte firmosja e marrëveshjes për Universitetin Teknik të Stambollit në Tiranë. Është diçka e rëndësishme në disa aspekte dhe do të sjellë një hapësirë të re studimesh të larta, të një niveli të lartë botëror. Ne jemi shumë të interesuar dhe patjetër dhe shumë të përmbushur sot pas konfirmimin e një etape të re në fuqizimin e industrisë ushtarake të Shqipërisë dhe në fuqizimin e kësaj marrëdhënie në aspektin ushtarak, ku dihet botërisht që Turqia ka arritur një nivel shumë të madh kapacitetesh për prodhimin e industrisë ushtarake, dhe ku kemi identifikuar konkretisht investime në këtë fushë. E thashë në hapje të mbledhjes së Këshillit dhe përsëris që unë e çmoj dhuratën e Presidentit sot në këtë kohë të trazuar kur bota ka marrë një drejtim të çuditshëm, për t’i dhënë ushtrisë të Republikës së Shqipërisë një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë. Është një dhuratë që s’duhet të shqetësojë askënd se kë do godasë Shqipëria, por besoj se është një dhuratë që përmban brenda një mesazh të qartë të Turqisë, në raport me këtë marrëdhënie, që Shqipëria është e pagoditshme”.



