
Ministri i Jashtëm brazilian Mauro Vieira ka pranuar se gjyqësori i vendit të tij mund të urdhërojë arrestimin e Vladimir Putin, nëse presidenti rus shkon në Rio de Zhaneiro në nëntor për samitin e G20-ës.
Ndërsa nënvizoi se ekziston një “traditë” e imunitetit për krerët e shteteve, anëtari i qeverisë progresive të presidentit, Luiz Inacio Lula da Silva, nuk e përjashtoi mundësinë, me të gjitha efektet diplomatike që do të vinin prej saj.
“Unë nuk mund ta kufizoj një gjyqtar, as të imagjinoj apo të hamendësoj se çfarë do të bëjë. Shumë gjëra mund të ndodhin”, tha Vieira gjatë një interviste për CNN Brasil, duke nënvizuar se kreu i Kremlinit do të shkojë në Brazil nëse do ose mundet.
Vladimir Putin ka një urdhër-arresti të lëshuar kundër tij vitin e kaluar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, duke detyruar 124 vendet anëtare të saj ta arrestojnë dhe ta transferojnë për t’u gjykuar në Hagë.
Brazili nënshkroi dhe ratifikoi Statutin e Romës, i cili krijoi gjykatën ndërkombëtare.
Lideri rus akuzohet për deportimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas në Rusi gjatë luftës që filloi në vitin 2022, e cila përbën një krim lufte.



