Kryeministri Edi Rama deklaroi pak ditë më parë se janë mbi 5 mijë vende pune të lira në platformën e Agjencisë Kombëtare të Punësimit.
Arbër Xhihani, ekspert punësimi, duke folur në “Mcn Informacion” tha se rritja e pagave në sektorin publik e ka bërë më joshës.
Po ashtu ai vë në dukje se shteti ofron më shumë siguri për vazhdimësinë në punë, rritjen, dhe zbatimin e kontratave të punës.
“Së fundmi është vënë re një rritje e numrit të vendeve vakante nga Agjencia Publike. Punësimi në administratë duhet kategorizuar në dy segmente, me një kontratë me institucionin dhe nëpunësi civil. Numri s’është i kufizuar vetëm në këto vende, pasi jo të gjithë institucionet e kanë kryer publikimin për rekrutimin. Disa iniciativa të reja, janë praktikat profesionale, 1200 vende për të rinjtë e sapo diplomuar. Administrata apo sektori publik ka edhe vende pune që kërkojnë edhe specialistë apo profesionistë. Sektori publik ka patur një rritje më të lartë të pagave se sektori privat. Ndryshimi ka qenë 15 për qind, çka e bën më joshës sektorin publik, qoftë për ata që janë të punësuar, qoftë për ata në kërkim të një pune.
Unë e shoh të lidhur me sigurinë që u ofrohet në shtet. Shteti u jep sigurinë, që në momentin që lidhet një kontratë, ke një vazhdimësi punësimi dhe rritje në detyrë. Kjo shpesh s’i mundësohet në privat, që ka mbetur në epokën e miqësive dhe njohjeve, por akoma s’është arritur standardi i duhur. Edhe në shtet mund të kemi raste ku mungon meritokracia, por të rinjtë kanë mundësi me vendet vakante, apo mundësitë e reja”.



