Teknologjia gjithnjë e më e pranishme në jetët tona, përveçse na ka lehtësuar shumicën e punëve, ka ngritur edhe pikëpyetjen nëse ne po e humbasim privatësinë edhe brenda dyerve të shtëpisë. Rasti më i fundit i kësaj natyre është ai i ndodhur në SHBA, ku një altoparlant smart ka kapur një frazë gjatë debatit mes një çifti dhe ka njoftuar policinë.
Pajisja i përket kategorisë së aparateve që ekzekutojnë komanda vokale. Gjatë një debati mes një çifti të rinjsh, ai ka dëgjuar burrin, Eduardo Barros, t’i thotë partneres: Ke thirrur sherifin? Kaq ka mjaftuar që pajisja të telefonojë automatikisht policinë.
Kjo e fundit ka mbërritur menjëherë dhe ka shmangur një tragjedi të mundshme. Rasti në fjalë rikthen në vëmendje rëndësinë e altoparlantëve smart mbi të cilët kanë investuar 2 vitet e fundit gjigantët e teknologjisë Google, Amazon, Apple e Samsung.
Një tjetër rast i ngjashëm është regjistruar në dhjetor të vitit të kaluar. Gjykata e Arkansasit i kërkoi kompanisë “Amazon” regjistrimet e telefonatave përmes pajisjes Alexa në shtëpinë e një të dyshuari për vrasje. Kërkesa fillimisht u refuzua në respekt të amendamentit të parë të Kushtetutës amerikane, i cili mbron lirinë e të shprehurit. /Përgatiti: Gazmira Sokoli /



