Teksa do duhej të niste punën si kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri nga qelitë e burgut ka dërguar një letër për këshilltarët bashkiak tek të cilët s’u betua dot. Ai thotë se ka besim se do ta fitojë këtë luftë, por nga ana tjetër SPAK e dyshon atë si një zyrtar që bleu vota për të fituar mandatin. Ndryshe nga kryebashkiakët e shkarkuar, dorëhequr dhe ish kryebashkiakët në përballje me drejtësinë penale apo moralin në publik një tjetër situatë është krijuar për herë të parë në Shqipëri. Rasti i Dhionis Fredi Beleri të zgjedhurit kryebashkiak në lokalet e 14 Maj 2023 por ende juridikisht një kryetar bashkie në detyrë. Ai u arrestua më 12 maj në verandën e lokalit të tij në Himarë, ndërsa prej më shumë se një muaji ndodhet tashmë në burg. Beleri mundi të fitojë mandatin teksa ndodhej pas hekurave dhe shkalla e parë e gjykatës së posaçme po ashtu edhe apeli kanë refuzuar ta lirojnë apo hetojnë atë në gjendje të lirë. Më 27 qershor 2023 ishte dhe afati i fundit kur Beleri do duhej të betohej dhe të niste zyrtarisht detyrën, por sërish kjo nuk ndodhi pasi kërkesa e tij për disa orë leje u refuzua. Si nga Gjykata ashtu edhe nga Drejtoria e Burgjeve. FactCheck ka mundur të sigurojë letrën e Belerit dërguar Këshillit Bashkiak ditën e Konstituimit dhe pamundësisë së tij për tu betuar! Kjo është një pjesë e saj: Të nderuar këshilltarë, të nderuar qytetarë të Bashkisë së Himarës, Sot, në ditën e marrjes së detyrës si kryetar i Bashkisë Himarë, megjithëse kërkova leje për të marrë pjesë dhe njëherësh përgjegjësinë që më ngarkuat me rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit 2023, ma refuzuan. Pas sulmit shpifës dhe vulgar ndaj meje nga Edi Rama në javën e fundit zgjedhore, arrestimit tim të paligjshëm dy ditë para garës zgjedhore, paraburgimit tim për 45 ditë, sot më penguan të marr detyrën duke tjetërsuar për momentin, rezultatin e zgjedhjeve. Pavarësisht kësaj, unë ende besoj në fuqinë e së vërtetës. Unë ende besoj në fuqinë e së mirës dhe virtytit. Sulmi i paprecedentë dhe 45 ditët e paraburgimit tim të padrejtë nuk e ndryshojnë besimin tim të thellë te demokracia, te të drejtat, institucionet dhe pikë së pari te qytetarët. Besoj dhe ju ftoj të besoni dhe ju se ky kalvar nuk do të ketë kryqëzim. Shpresoj që së shpejti të gjithë të mendojnë lirshëm dhe të veprojnë me virtyt. Beleri u procedua fillimisht nga Policia dhe Prokuroria e Vlorës ndërsa masa e sigurisë e arrestit në burg u la në fuqi edhe nga Prokuroria e Posaçme. Sipa hetimeve ai me bashkëpunëtorë të tij ka shpërndarë para, premtuar favore deri në letra e pensione nga shteti grek për minoritetin e mes personave ishte dhe A.R., bashkëpunëtor i drejtësisë. Ai është pyetur nga SPAK dhe ka thënë para hetuesve të byrosë kombëtare se i qëndron deklarimeve të bëra më herët, deklarime të cilat implikjnë Belerin në veprën penale të korrupsionit zgjedhorë.



