Një festival muzikor në Malajzi është anuluar pasi këngëtari kryesor i grupit britanik “The 1975” Matty Healy theu ligjet anti-LGBTQ të vendit dhe puthi shokun e grupit në skenë. Incidenti në skenën e Festivalit “Good Vibes” në Kuala Lumpur të premten mbrëma bëri që Ministria të anulojë pjesën tjetër të ngjarjes tre-ditore. Aktet homoseksuale janë të paligjshme në Malajzi dhe dënohen me gjoba dhe deri në 20 vjet burg. Më herët gjatë koncertit Matty Healy denoncoi ashpër ligjet anti-LGBT të Malajzisë, duke shtuar se grupi kishte menduar të tërhiqej nga eventi. Ky akt proteste në skenë nuk ishte i pari për Healy-n, i cili tashmë kishte puthur një fans gjatë një koncerti të vitit 2019 në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ligjet anti-LGBT janë gjithashtu shumë të rrepta.



