Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se pret një “vjeshtë të vështirë” sa i përket çështjes së Kosovës, sepse ai mendon se “Perëndimi do të përpiqet të shpejtojë zgjidhjen e problemit”.
Megjithatë, ai përsëriti se zgjidhja nuk do të jetë e mundur nëse Serbia nuk merr asgjë.
“Unë nuk e di se cila është ideja. Ajo që kisha si ide u refuzua nga të gjithë. Askush nuk e pëlqeu. Le të shohim se cila është ideja juaj, sepse ende nuk e kam dëgjuar, përveçse pashë më shumë presion mbi mua. Serbia nuk mund të pajtohet me pavarësinë (e Kosovës) nëse Serbia nuk merr asgjë”, tha Vuçiç në një intervistë për Televizionin Prva, përcjell Blici serb.
Ai tha se u ka thënë të gjithë bashkëbiseduesve në bashkësinë ndërkombëtare, se nuk do të ketë zgjidhje nëse dikush mendon se Serbia duhet të poshtërohet.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, beson se këshilltari i presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton, nuk do ta vizitojë Serbinë, e as Kosovën.
Ai ka thënë se në Kosovë do të ketë zgjedhje, dhe seBolton nuk do humbiste kohë, kur s’ka me kë të bisedojë atje.
“Administrata amerikane është për heqjen e taksës, për çka jam mirënjohës. Por nuk mendoj se tarifat janë arsyeja e vetme që Bolton nuk do të vijë. Pyetja është se çfarë mund të fitojë ai me ardhjen në Prishtinë”, ka thënë Vuçiç.
Ndonëse ka thënë se nuk mund të flasë në emër të Boltonit, por ka thënë se kjo është një “analizë logjike”.
Presidenti serb është ndalur edhe te taksa. Ka thënë se në Prishtinë ka nisur garë për taksën.
Tutje, Vuçiçi e ka quajtur të pakuptimtë vendimin që Kosova t’ua ndalojë hyrjen serbëve me pasaporta të Serbisë.
“Ata veprojnë si fëmijë të vegjël, të cilët nuk kanë shtet, por përpiqen të krijojnë atë”, është shprehur Vuçiç.
Duke folur për faktin se si të pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kanë ndryshuar ambasadorët e tyre në Beograd, dhe nëse kjo ka ndonjë lidhje me çështjen e Kosovës, Vuçiç tha se ata “me siguri nuk kanë ardhur për të kontrolluar ndryshimin e klimës në Serbi”.



