Edhe pse policia ka shpallur në kërkim, Ibrahim Licin, për vrasjen e 32-vjeçarit, Endri Mustafa, bashkëshortja e këtij të fundit Ingrid Mustafa është shprehur se me familjen e Licave nuk kanë pasur kurrë probleme. Ajo ka thënë se është 100% e sigurt se nuk i ka ardhur vrasja e bashkëshortit nga fisi Lici.
Më tej, bashkëshortja tregon edhe bisedën e fundit me burrin e saj, para se të largohej nga shtëpia për të mos u kthyer më kurrë.
Nuk kemi patur kurrë asnjë problem me familjen Lici. Burri im ka qenë shok me djemtë e tij. Unë e kam thënë edhe në polici se Ibrahim Lici nuk ka lidhje me vrasjen dhe habitem si e kanë nxjerrë sepse nuk ka asnjë lidhje dhe jemi 100% të sigurtë se nuk ka ndodhur nga Ibrahimi. I kemi komshi dhe nuk kemi patur kurrë asnjë problem me ata. Atë nate në 10 të darkës Endri kërkoi të dilte nga banesa dhe më tha me jep një xhakovento dhe më tha po shkoj deri në livadhe dhe po vij për 10 minuta, nuk po vonoj tha. Unë i thashë të lutem mos dil se është natë por m tha nuk vonoj dhe vij menjëherë.
Doli me këtë djalin komshi 15 vjeç, ai po e kërkonte që nga mesdita. I kishte bërë disa muhabete 15-vjeçari por nga që ishte në atë moshë nuk ia kemi vënë veshin dhe i thash mos u merr me të sepse e njihnim çfarë fëmije është dhe se me kë merrej ai. Burri e anashkaloi atë dhe iku në 10 të darkës dhe nuk u kthye më. Nuk më ka thënë se as se për çfarë po shkonte dhe as se çfarë do bënte. Nuk e di arsyen e vrasjes sepse Endri nuk ka patur asnjë konflikt me askënd dhe nuk i ka bërë askujt keq. As nuk ka patur kërcënime dhe as nuk ka kërcënuar kënd.
Ai 15-vjeçari erdhi për qejf dhe kaq sepse Endri nuk ka dalë jashtë sepse nuk kishte besim tek askush. 15-vjeçari i ka thënë burrit që nuk po të shkruaj mesazhe por dije që kur të dërgoj një fotografi të një kali dil jashtë. Një djalë 15 vjeç të shprehet ashtu se di, dikush është pas tij sepse nuk kemi patur konflikt as me të. Që kjo ka lidhje me Licajt nuk është e vërtetë dhe unë e kam deklaruar edhe në polici sepse kemi shkuar shumë mirë.



