Një jetë me gazetarinë dhe publicistikën, por me kokën e kthyer kohë pas kohe nga poezia. Mero Baze vjen në këtë prag panairi me librin e tij me poezi, "Shi me baltë".

Ky dimension pak i njohur për lexuesin e radhëve të tij u shpalos të hënën një një takim të mbajtur në Hotel Tirana, që bëri bashkë emrat e gazetarisë, letërsisë dhe figura të maxhorancës.

“Shi me baltë” përmbledh krijimtarinë e autorit në tre dekadat e fundit, mbledhur dhe organizuar në katër kapituj nga poeti Ilirjan Zhupa dhe Arben Bllaci, sipas tematikës e kohës kur janë shkruar poezitë.

Duke e cilësuar librin një ushqim të mirë për shpirtin e atyre që duan e dinë të lexojnë, Zhupa i ftoi lexuesit të zbulojnë në faqet e tij Mero Bazen që nuk kanë njohur, njeriun që për rreth 40 vjet e kanë parë vetëm nga jashtë dhe jo nga brenda.

Vetë autori thotë se poezitë e tij lidhen ngushtë me ngjarjet, kujtimet, personazhet dhe zhvillimet që kanë shënjuar rrugëtimin e tij jetësor. Në këtë udhëtim, poezia ka qenë pikënisja dhe bashkëshoqëruesja. Madje, është pikërisht poezia ajo të cilës, sipas tij, i detyrohen gazetarët e vërtetë.

“Shi me baltë”, i dyti vëllim me poezi i Mero Bazes, pas vëllimit “Jug” në 2014, është një hallkë e fortë që lidh dy pasionet e jetës së tij, një hallkë te e cila duhet të mbështeten fort edhe gazetarët e rinj.