Që nga koha e antikitetit makeupi është përdorur për të zbukuar pamjen. Fillimet e makeupit datojnë rreth 7000 vite më parë. Edhe pse femrat nuk e kishin idenë se si ndikonin disa produkte në lëkurën dhe shëndetin e tyre, ato tundoheshin për t’i përdorur duke synuar të zbukuronin pamjen. Rekordi më i hershëm historik i kozmetikës vjen nga Dinastia e Parë e Egjiptit. Në varret e asaj kohe janë zbuluar vazo të thyera, të cilat në periudhën e atëhershme përdoreshin si aromatikë, ose parfume. Më pas, gratë e Egjiptit nisën të lyenin sytë dhe buzët me element metalikë ose blozë.
Ndërsa një frymë e re erdhi nga Franca në shekullin e XVIII, kur u bënë modë faqet dhe buzët e kuqe për të krijuar përshtypjen e një gruaje të shëndetshme.
Edhe në vendin tonë, dëshira për t’u dukur bukur ka nisur që para se të njiheshin produktet kozmetike. Përpjekjet e para drejt grimit dhe kujdesit për fytyrën, sipas etnologes Afërdita Onuzi, orientoheshin drejt produkteve natyrale.
“Nuset e reja që martoheshin me mënyrat dhe me mundësitë e tyre kanë realizuar tualet që mund të përdoret edhe sot, me mjete shumë natyrale, bio. Me të bardhën e vezës, me të verdhën, me mjaltë, me tranguj. Me shpretkën e bagëtive, të cilën e vendosnin në faqe, sepse në atë kohë pëlqeheshin faqet e kuqe për t'u dukur më bukur. Ruheshin nga dielli, pra ka pasur disa mënyra për kujdes. Në zonat e Jugut përdornin vajin e ullirit, në Veri kanë përdorur gjalpin e freskët, gjithashtu edhe ajkën e qumështit, e cila ishte shumë e mirë. Kanë përdorur një lloj kremi të përgatitur me zhivë për të pasur një lëkurë të bardhë.”
Përgjatë komunizmit, shumica e femrave mjaftoheshin me një buzëkuq, ndërsa grimi ishte një privilegj që e gëzonin fytyrat e skenës dhe ekranit. Futja e disa produkteve kozmetike në tregun shqiptar, filloi pak para viteve ’90. Tendenca e kohës, sidomos për gratë e reja, u bë floku i verdhë, që realizohej me ujë të oksigjenuar.
“Deri në vitet '70-'80 mund të them në mënyrë absolute asnjë krem ose tualet, por me disa përjashtime filluan të lyheshin flokët me oksigjen për atë që donte të bëhej bjonde, ndërsa në lidhje me fytyrën bukuria ishte kryesisht bio.”
Edhe nëse kishte tendencë, ajo përjashtonte vajzat e reja të pamartuara, të cilat sidomos në zonat periferike duhej të mbeteshin natyrale. E drejta për të kuruar veten në mënyrë të tillë lindte vetëm pasi martoheshin.
“Ka pasur një dëshirë për t'u paraqitur bukur për veten e vet. Vetëm duhet të theksoj se e drejta për të treguar kujdes për veten ka qenë vetëm për nuset e martuara. Vetëm një ditë para martese mund të fillonte kujdesi për t'u paraqitur sa më mirë. Ndërsa vajzat në asnjë mënyrë, duhet të ishin të thjeshta dhe të mos tërhiqnin vëmendje. Edhe krehja ka qenë shumë e thjeshtë, vetëm një ndarje në mes.”
Pas viteve ’90, hapja e vendit ndikon në rritjen e interesit për produktet kozmetike. Një ndër të parat në këtë fushë, Beli Cafi, kujton sesi ndryshoi qasja ndaj makiazhit.
“Në '92-'93 dëshirë ishte shumë e madhe. Dalja nga një vend i mbyllur, dëshira për të parë botën... Shikoja se vajza dhe gra ishin shumë të interesuara për bukurinë. Ka qenë e dhimbshme, nuk kishim produkte dhe prisnim të vinte sikur nga larg që të na sillte ndonjë produkt nga jashtë. Kishte ndonjë laps, rimel, si dhe ishte një bojë Colestol.”
Sot makeupi ka evoluar shumë dhe mund të rivalizojë edhe shndërrimin që u bëhet aktorëve të ekranit për role të ndryshme. Industria e makeupit xhiron miliarda dollarë në të gjithë botën, vitet e fundi e ndihmuar edhe nga rrjetet sociale. Liridona Hoxha është sot vlogere e njohur dhe tregon se pasioni i saj për make-up-in ka lindur kur ishte e vogël dhe shkonte në një sallon bukurie në Shkodër.
“Pasioni im për make up ka nisur në Shqipëri, fëmijët luanin ndërsa unë e kaloja kohën në parukeri. Kur femrat shqiptare kanë një mundësi për t'u rregulluar e marrin atë mundësi dhe e çojnë deri në fund. Unë e gjej veten më mirë me make up shqiptar, përsa u përket dasmave dhe eventeve”.
Dramaturgu latin, Plautus shkroi dikur: "Një grua pa bojë është si ushqimi pa kripë" dhe nëse shikojmë videot tutorial teksa Liridona realizon makeup-in mund të bindemi se ka pasur të drejtë.
Por pse bëjmë makiazh? A është kjo një mënyrë për t’u pëlqyer të tjerëve apo thjesht për t’u ndier mirë me veten. Përtej ndikimit të fortë të asaj që shohim në rrugë apo në rrjetet sociale, ka plot femra që këtë e kanë një zgjedhje personale.
“Ka shumë që e bëjnë për t'u pëlqyer të tjerëve ose për të fshehur defekte, është shumë personale në fakt. Por nëse ti në shtëpi nuk kujdesesh aspak dhe kur del rregullohesh shumë, kjo tregon se e bën për t'u dukur te të tjerët. Nëse ti në shtëpi rri e rregullt, e kuruar, kjo tregon se ti e bën për t’u ndier mirë me veten. Ka shumë femra që njoh dhe as nuk duan ta dinë që ekziston make up dhe ndihen shumë mirë me veten, nuk besojnë se make up mund të mbulojë komplekset. Kjo është diçka për t'u vlerësuar sepse bukuria fillon tek ajo që ne ndiejmë për veten.
Ndërsa ka dhe nga ato femra që e duan shumë makeupin, e duan. Për këto femra kur nuk ke kohë ose mundësi për t’u lyer ndihen sikur diçka u mungon. Edhe mua po më mungoi kjo pjesë, nuk ndihem mirë me veten. Nëse nuk jam e kuruar, unë nuk ndihem produktive. Ndaj nëse dikush bën pjesë te personat që makeup ii bën të ndihen mirë, duhet të gjejë kohën për ta realizuar atë.”
Dëshira për t’u dukur bukur nuk ka pse ndalon me moshën. Madje, duket sikur bëhet më e domosdoshme. Etnografia Onuzi na tregon një histori të bukur që ka dëgjuar në një takim me një 80-vjeçare të apasionuar pas makeup-it dhe kujdesit për veten.
“Pyeta një 82-vjeçare në Kopenhagen, e cila ishte shumë e kuruar e lyer, e veshur me ngjyra, me bizhu të shumta. Më bëri përshtypje si etnologe dhe e pyeta pse është ngarkuar aq shumë. Dhe ajo më tha se unë në këtë moshë kompensoj defektet e moshës, sepse nëse unë nuk vishem me ngjyra, atëherë do të dukem shumë e vrarë.”
Media, rrjetet sociale në dekadën e fundit luajnë një rol influencues. Na ndodh shpesh që në rrugë të shohim të njëjtin grim te vajza të ndryshme.
Beli Cafi thotë: “Ajo pjesë nuk është tani aspak e vështirë, sepse nëse teknikat kanë avancuar, produkte aparaturat janë të një cilësie të lartë, mund të realizosh çfarë të kërkohet. Ai ose ajo që nuk e realizon duhet të vazhdojë të mësojë.”
Liridona Hoxha: “Si një makroinfluencer më bëhet shumë qejfi që personat më ndjekin për t'u frymëzuar dhe për të rikrijuar. Edhe unë vetë frymëzohem nga Niki make up dhe Make up by Mario që është edhe shqiptari ynë i dashur.”
Po sa është kostoja e një pamjeje të kuruar, duke u mbështetur fort te kozmetika.
“Pothuajse e them me bindje se 70 % kujdesen për lukun e tyre dhe e realizojnë shumë mirë. Bukuria shpenzon 70 për qind të ekonomisë personale të një femre.” / TvT.al Lisana Subashi/



