Huaxi njihet si fshati më i pasur në Kinë. Ai është themeluar nga Wu Renbao, i cili ka ndërruar jetë tre vite më parë. Por si janë pasuruar familjet që jetojnë aty? Për këtë në fakt dihet pak. Ajo që dihet është se fshati është mishërimi i asaj që quhet utopia komuniste. I themeluar nga sekretari i Partisë Komuniste të fshatit, Huaxi mbetet puthuajse një mister.
Kjo sepse shumica e atyre që dihen janë thjesht fjalët e themeluesit të tij. Banorëve të regjistruar që jetojnë aty u është ndaluar të flasin me mediat apo me të huaj.
Besohet se përfituesit e të ashtuquajturit model socialist gëzojnë arsimim dhe kujdes shëndetësor falas, shtëpi luksoze, makina dhe të paktën 250 mijë dollarë në llogaritë e secilit.
Fshati është një rikrijim i disa prej vendeve më të njohura të botës. Aty gjen kopje të Statujës së Lirisë, Harkut të Triumfit etj.
Por ka zëra se jeta aty nuk është aq idilike sa përshkrimet që i bëhen fshatit. Thuhet se atje banorët punojnë shtatë ditë në javë, kryesisht në fabrikat industriale.
Gjithashtu, ka një hierarki të rreptë që ndan banorët e vjetër nga ata të rinj. Ata që quhen “banorë të regjistruar” (rreth 2000) jetojnë në këtë fshat prej vitit 1950. Por të rinjtë nuk gëzojnë as statusin e tyre dhe as komoditetet që rrjedhin prej tij.
Për më tepër, nëse një banor largohet prej aty, nuk mund të marrë asgjë me vete.
