Escobari dhe Lajçaku me tri kërkesa për Kurtin, bisedimet zgjasin dy ditë

Escobari dhe Lajçaku me tri kërkesa për Kurtin, bisedimet zgjasin dy ditë

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog ishin tri kërkesat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me zyrtarët e lartë ka thënë se ka “shprehur përkushtimin e tij të pakursyer për uljen e tensioneve”.

Ai ka përmendur disa hapa thelbësorë drejt de-eskalimit të situatës në veri të vendit, duke filluar me mbarimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj forcave të sigurisë nga grupet ekstremiste dhe kriminale.

Gjithashtu, ai ka theksuar rëndësinë e sundimit të së drejtës për të siguruar një fushatë të lirë dhe të ndershme për zgjedhjet e ardhshme.

“Në një takim me Escobar të SHBA-ve dhe Miroslav Lajçak të BE-së, shpreha përkushtimin tim të pa rezervë për de-eskalim. Hapat thelbësor përpara janë mbarimi i menjëhershëm i sulmeve ndaj forcave të sigurisë nga ekstremistët e dhunshëm dhe grupet kriminale, si dhe sundimi i së drejtës për të siguruar fushatë të lirë dhe të ndershme dhe zgjedhje”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Delegacionet e BE-së dhe ShBA-së janë duke qëndruar në Prishtinë dhe Beograd për të gjetur një zgjidhje për qetësimin e situatës në tri komuna në veri të Kosovës, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog ishin tri kërkesat e Lajçak dhe Escobar.

Por, nuk ka pasur një pranim të menjëhershëm të propozimeve nga Kurti dhe bisedimet do të vazhdojnë për dy ditë.

Të pyetur se a i ka pranuar Kurti propozimet e tyre, të dy thanë se janë në “fillim të misionit të tyre”, që do të zgjasë dy ditë.

“Shpresoj se do njoftojmë për lajme të mira në fund, por nuk kemi arritur atje ende”, tha Lajçaku.

Të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së do të zhvillojnë takime me krerë të lartë shtetërorë në Prishtinë dhe Beograd edhe më 6 qershor.

Edhe gjatë ditës së sotme ata pritet të qëndrojnë në Kosovë. Fillimisht nga ora 9:45 minuta do të takohen me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe më pas do të nisen drejt Serbisë.

Por, Escobar dhe Lajçak para se të nisen drejt Serbisë, do të takojnë edhe liderët e partive opozitare.

Zgjedhje të reja në veri përmenden si opsion për shtensionimin e situatës, pasi marrja e detyrës nga kryetarët shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit ka shkaktuar tensione e trazira që nga 26 maji. 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy