Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 34 vite burg në total për 17 ish-inspektorë të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor të Bashkisë së Tiranës.
Sipas organit të akuzës, ata akuzohen për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Mes tyre është edhe ish-drejtuesi i INUV, Florenc Hoxha. Për Hoxhën, Prokuroria kërkon dënimin me 6 vjet burg dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar detyra publike për 3 vjet.
Për 17 vartësit e Hoxhës, përveç dënimit me burg, prokuroria ka kërkuar edhe heqjen e të drejtës për të ushtruar detyra publike për 1 vit. Për arsye se kanë pranuar gjykim të shkurtuar, 17 të pandehurit përfitojnë uljen e 1/3 së dënimit.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, është provuar se Hoxha ka shkelur detyrën në 531 raste. Hetimet kanë nxjerrë se Hoxha dhe vartësit e tij kanë lejuar ndërtime të paligjshme në të gjitha zonat e kryeqytetit, pavarësisht se kishin dijeni mbi këtë fakt.



