Rreth 50 familje në fshatin Humelic të Bashkisë Gjirokastër po përballen prej kohësh me mungesën e furnizimit të rregullt me ujë dhe ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike. Problematika, sipas banorëve, bëhet edhe më e rënduar gjatë muajve të verës, kur shumë familje rikthehen nga emigrimi për të punuar tokat dhe për të kaluar periudhën e pushimeve pranë të afërmve të tyre.
Banorët shprehen se mungesa e ujit ka ndikuar drejtpërdrejt në aktivitetin bujqësor, pasi pamundësia për vaditjen e kulturave ka bërë që shumë toka të mbeten të papunuara. Edhe pse fshati disponon dy depo uji, sipas tyre furnizimi nuk shpërndahet në mënyrë të barabartë, ku lagjja e sipërme përfiton më shumë ujë, ndërsa pjesa tjetër mbetet për orë të gjata pa furnizim.
Për këtë situatë ka folur edhe gazetarja Jonida Qirko për “MCN Live”, e cila tha se problemi është i njohur prej vitesh dhe është adresuar disa herë pranë institucioneve lokale.
Fshati Humelic, vetëm 13 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, një zonë që në mënyrë paradoksale ka potencial të burimeve ujore, përballet me mungesë të ujit, veçanërisht gjatë sezonit të verës, por jo vetëm. Krahas kësaj, ndërprerjet e energjisë elektrike janë një tjetër problematikë që shqetëson banorët.
Sipas gazetares, një pjesë e familjeve të fshatit jetojnë dhe punojnë në emigracion, kryesisht në Greqi, ndërsa gjatë verës rikthehen për t’u kujdesur për tokat e tyre. Por, mungesa e ujit dhe energjisë elektrike ka bërë që shumë prej tyre të mos mund t’i shfrytëzojnë parcelat bujqësore.
Ka shumë familje që shkojnë në Greqi për të punuar dhe gjatë verës kthehen për të punuar tokat e tyre, por fatkeqësisht për shkak të mungesës së ujit dhe energjisë elektrike, shumë toka mbeten pa u punuar. Vetë banorët janë shprehur se ky është një problem ekzistues prej vitesh, për të cilin është vënë në dijeni edhe Bashkia e Gjirokastrës, por çdo premtim i bërë ka mbetur në letër, pasi sipas tyre as deputetë dhe as zyrtarë nuk kanë shkuar në fshat për të parë nga afër situatën.
Ajo shtoi se banorët janë detyruar të blejnë ujë në qytetin e Gjirokastrës, një zgjidhje që u sjell kosto shtesë ekonomike.
Banorët detyrohen të blejnë ujë në Gjirokastër, çka do të thotë më shumë shpenzime për xhepat e tyre, ndërsa kërkojnë një zgjidhje të qëndrueshme për një problem që i shoqëron prej vitesh.



