Çmimet e naftës u rritën menjëherë me mbi 3.5 përqind, duke arritur në nivelin më të lartë përgjatë tre muajve të fundit në SHBA, pas vrasjes së gjeneralit iranian, Qassem Soleimani. Vrasja e tij po shkakton një frikë të madhe për përshkallëzimin e konfliktit në rajon gjë që mund të bllokojë furnizimet globale të naftës.
Një sulm në aeroportin e Bagdadit vrau gjeneralmajor Qassem Soleimani, arkitekt i përhapjes së ndikimit ushtarak të Iranit në Lindjen e Mesme dhe një hero për iranianët dhe shiitët në rajon.
Një zyrtar amerikan tha që Soleimani ishte duke planifikuar një sulm të afërt ndaj objekteve dhe punëtorëve të SHBA-së në Irak, Liban, Siri dhe vende të tjera.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei është shprehur se një hakmarrje e ashpër i pret"kriminelëve" që vranë Soleimanin.
"Nëse situata përkeqësohet dhe furnizimet e naftës ndërpriten, kjo mund të ketë ndikime të mëdha në tregun ekonomik dhe financiar me rritjen e çmimeve të naftës së papërpunuar", tha shefi i investimeve të UBS Menaxhimit të Pasurisë Botërore, Mark Haefele.
Ambasada e SHBA-së në Bagdad u bëri thirrje të premten të gjithë qytetarëve të largohen menjëherë nga Iraku, dhe dhjetëra qytetarë amerikanë që punojnë për ndërmarrje të huaja të naftës atje po përgatiten të largohen.
"Regjimi amerikan do të jetë përgjegjës për pasojat e këtij aventurizmi kriminal. Ky ishte gabimi më i madh strategjik i SHBA-së në rajonin e Azisë Perëndimore ndaj ajo nuk do t'u shpëtojë pasojave të tij”, tha Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit në një deklaratë të mbajtur në media.



