Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi deklaron se aktualisht në radhët e selisë blu deri në përfundimin e raportit final të OSBE-ODHIR për zgjedhjet dhe farsën elektorale të 11 majit, janë të fokusuar që çdo energji ta shpenzojnë për të denoncuar të gjitha parregullsitë që janë vërejtur tashmë nga PD në 11 maj.
Nga studio e “MCN Live” ai denoncoi se vetëm në Tiranë janë identifikuar mbi 570 raste shkeljes në qendrat e votimit, ku veçoi se janë zbuluar edhe raste ku komisioneri voton për qytetarët.
Këlliçi shtoi se në Shqipëri është punuar me një agjendë të qartë për të asgjësuar opozitën dhe se largimet nga radhët e PD-së, vijnë prej vështirësisë për të qëndruar në opozitë për 12 vite.
Kemi analizuar me mijëra orë pamje filmike në qendra të ndryshme votimi në Tiranë dhe kemi evidentuar mbi 570 raste flagrante.
Madje ka raste që voton komisioneri për qytetarët. Të gjitha i kemi raportuar para misionit vëzhgues të OSBE-ODHIR dhe do i bëjmë publike. Pas atij momenti duhet të ketë një analizë politike, dhe më tej reflektim, duke nisur nga unë për zgjedhjet e 11 majit.
Do të nisë nga lista e mbyllur dhe më gjerë për performancën tonë në zgjedhje dhe në fushatë elektorale. Në mes të muajit shtator besoj se do të nisë kjo fazë brenda PD dhe të gjitha pritshmëritë e qytetarëve për një ndryshim në Shqipëri janë te Partia Demokratike. Nuk besoj se në krye të qëllimit të PD-së është interesi i ndonjë deputeti.
Një pjesë e madhe e çështjeve mund të kenë kaluar edhe pa vëmendjen që iu takon që të marrin. Por nëse do të lihej të ikte treni i denoncimit të farsës së 11 majit, do të ishim dhe ne pjesë e farsës dhe fasadës.
E bëmë një gabim të tillë në vitin 2021 dhe kaluam në normalitet. Për të mos përsëritur atë gabim, sot kemi tjetër qasje. Besoj se vota e lirë është interes kombëtar.
I pyetur lidhur me largimet nga radhët e Partisë Demokratike për t’u bashkuar me Partinë Socialiste, Këlliçi tha se tashmë është prodhuar një mbi pushtet i Edi Ramës.
Sipas tij, është shumë e vështirë për një qytetar të zakonshëm apo një anëtar të një force politike opozitare, të qëndrojë në opozitë për 12 vite, pasi çdo gjë është e lidhur me qeverinë, interesat janë të lidhura ngushtë me institucionet shtetërore sa e kanë shumë të vështirë që të qëndrojnë në opozitë.
PD sot edhe pse 12 vite në opozitë, ku i është marrë peng me gjykatë, vula, logo, atributet që jep ligji, por sërish Partia Demokratike ia ka dalë që të jetë opozita reale e vendit.
Duhet të fokusohemi te fakti se Shqipëria sot ka opozitë. Se është punuar për asgjësimin e opozitës.
Këtu është punuar me një agjendë të qartë për të asgjësuar opozitën. Edi Rama fiton se nuk ka më zgjedhje.



