Kreu i Prokurorisë së Përgjithsme Adriatik Llalla ka ngritur shqetësimin mbi nivelin e ulët të zbulueshmërisë së autorëve të të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.
Po kështu Llalla denoncoi dhe mbajtjen jashtë të prokurorëve në asgjesimin e bimëve narkotike.
Llalla: Një ndër problematikat kryesore dhe çështjet më sensitive është dhe lufta kundër krimit të organizuar. Gjatë kësaj periudhe vijon të jetë tepër shqetësuese fakti se në vend vijon të kultivohen dhe trafikohen sasi të mëdha lëndësh narkotike. Problem tepër shqetësues të cilin institucioni ynë, posaçërisht Prokuroria e Krimeve të Rënda, kanë qenë të angazhuara me të gjitha mjetet e tyre. Është shqetësues fakti se nga strukturat e tjera ligjzbatuese, të cilat kanë për detyrë të kontrollojnë territorin dhe verifikojnë këto raste, ka një përqindje shumë të ulët të autorëve të këtyre veprave penale. Kemi kontakte të vashdueshme me institucionet e tjera përgjegjëse, por gjithësesi rezultatet e zbulimit të autorëve të veprave penale mbeten tepër të ulëta.
Një problematikë tjetër mbetet mënyra e administrimit të provave materiale. Posaçërisht në rastin e lëndëve narkotike. Në mënyrë të vazhdueshme bëjnë publike të dhëna se çdo ditë sekuestrohen sasi të konsiderushme lëndësh narkotike, asgjesohen lëndë narkotike, ndërsa nga ana tjetër thuajse ka një mospërfshirje totale të prokurorëve në mënyrën sesi administrohen, sekuestrohet dhe asgjesohen këto lëndë narkotike. Është detyrim ligjor i gjithësecilit prej nesh të verifikojë këto rastet, për të parë, verifikuar dhe vendosur para përgjegjësisë ligjore kur konstatohet se lënda narkotike dhe provat e tjera materiale asgjesohen në mënyrë jo të parashikuar nga ligji. Në të gjitha rastet, lënda narkotike ashtu si çdo provë tjetër do të asgjesohet në prani të Prokurorit. Ju rikërkoj që të gjitha rastet kur ka dyshime që provat materiale asgjeson në mënyrë të kundraligjshme të fillojnë hetimet nëse kjo lëndë narkotike apo çdo lëndë tjetër, provë materiale nuk asgjesohet ose administrohet në mënyrën e parashikuar në ligj të fillojnë hetimet dhe të vendosen para përgjegjësisë ligjore autorët.



