Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla në fjalën e tij në seancën e sotme, teksa deklaroi voten e tij lidhur me projektligjin “Për ratifikimin e traktatit të ekstradimit ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, nuk harroi pa përmendur edhe vendimin e DASH për shpalljen non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha, për të cilën tha se politika duhet ta lexojë ashtu siç është.
Balla tha se tani i takon drejtësisë që të bëjë detyrën e vet, pa u ndikuar politikisht.
Ai e cilësoi një shenjë vlerësimi nga SHBA për ecurinë e reformës në drejtësi dhe besimin tek institucionet.
“Padyshim që do ta votojmë pro marrëveshjen për traktatin për ekstradimin me SHBA sepse besoj që të gjithë biem dakord që është një shenjë vlerësimi nga partneri ynë strategjik mbi ecurinë e kënaqshme përpara të reformës në drejtësi dhe për besimin reciprok në institucionet e drejtësisë në secilin prej dy vendeve të angazhuara në këtë traktat.
Përfitoj nga ky moment që pikë së pari të shpreh gjithë falënderimin e nevojshëm dhe të domosdoshëm qoftë për SHBA, qoftë për BE për gjithë mbështetjen që i kanë dhënë reformë në drejtësi. Nëse nuk do ishte mbështetja e tyre më 22 korrik 2016 ne nuk do t’i kishim numrat në këtë sallë për të votuar ndryshimet kushtetuese, natyrshëm të gjithë ata që u betuan dhe u stërbetuan se nuk do e votonin kurrë reformën në drejtësi në sallat brenda hapësirës së Kuvendit, muret janë dëshmitarë të atyre betimeve të gjithë atyre që zotoheshin se nuk do ta votonin dhe po ashtu dua të them sot që edhe pse janë të shumtë ata që mendojnë se procesi i reformës në drejtësi po ecën ngadalë unë nuk jam dakord. Unë them që një reformë kaq e thellë natyrshëm kërkon kohën e vetë por tani të gjitha institucionet janë ngritur. Ne duhet të vazhdojmë si Kuvend që ta mbështesim çuarjen përpara të reformës në drejtësi. Në muajt e kaluar ne kemi votuar pjesë të kësaj pakete. Mendoj se partitë politike duhet ta dinë se çuarja para e reformës është rruga e Shqipërisë sonë drejt BE.
Ndaj le ta lëmë aq të bukur siç është vendimi i sekretarit të Shtetit dhe mos të hyjmë në komentet dhe në nuancat e atij vendimi, pasi është aq i bukur. Secili ta lexojë ashtu siç është vendimi. Unë mendoj se duhet të kuptojmë se SHBA-të kanë zgjedhur këto lloj instrumentesh për t’i dhënë mesazhe. Para ça kohës iu dha mesazhi kryetarit të parlamentit të Rumanisë. Këto janë çështje që i takojnë drejtësisë, pasi të paktën nga ato që janë bërë publike, unë jam një nga personat që kanë dorëzuar kallëzim në prokurori ndaj Berishës. Shpresoj që drejtësia të veprojë në paanshmëri të plotë. Ky Kuvend ka një mëritë të veçantë, pasi kur është diskutuar dhe kur kemi pasur çështje të rendit të ditës apo ligje për të çuar para reformën në drejtësi, unë ju jam mirënjohës. Kuvendi nuk mund te miratojë ligje pas datës 8 korrik.”, tha Balla.
Ai bëri apel për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë dhe më pas atë Kushtetuese për të marrë vendime të plota, duke përmendur dhe vendimin për shkarkimin e Presidentit që mund të votojë parlamenti.



