
Gazetari Klodian Tomorri deklaroi në studion e lajmeve të MCN Tv se sistemi publik i pagave në Shqipëri është denatyruar dhe është pikërisht ky fenomen që ka sjellë nevojën për një ligj të ri në mënyrë që të vendoset një ekuilibër i ri.
Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij, Tomorri tha se sistemi i pagave meriton një formatim të thellë pasi shoqëria nuk mund të jetojë në një hipokrizë të madhe dhe të pranojë në heshtje korrupsionin.
Unë e shoh qëllimin e këtij projektligji diku tjetër. Për të rritur pagat, qeverua nuk ka nevojë të bëjë ligj të ri, por të anonçojë rritje me ligjin ekzistues. Problemi që synon të adresojë ky ligj është një tjetër. Kemi përfunduar në një sistem publik pagash të denatyruar që është dhe një hipokrizi e madhe. Kemi drejtorë të ndërmarrjeve publike, specialistë apo drejtues që paguhen më shumë se presidenti, kryeministri apo ministrat. Denatyrimi raporteve të pagave ka sjellë nevojën për një ligj të ri që duhet të sjellë një ekuilibrim të ri.
Kemi krijuar hipokrizi të madhe, kemi krijuar një sistem pagash që pranon korrupsionin dhe bëjmë sikur nuk e shohim. Një ministër paguhet në dorë 120 mijë lekë -125 mijë lekë. Një ministër paguhet me 1 mijë euro dhe pretendojmë që të mos ketë korrupsion, është e qartë që për nga niveli i jetesës 1 mijë euro janë të pamjaftueshme për një zyrtar të një niveli të lartë. Kemi bërë një kompromis të heshtur që ministrat nuk shkojnë në punë për rrogën. Sistemi publik i pagave meriton një formatim të thellë jo vetëm në riekuilibrimin e raporteve, por rritjen e pagave në disa nivele pasi shoqëria nuk mund të jetojë në një hipokrizi të madhe. Pranoj dhe argumentin 'që ta rrisësh pagën sa të duash tundimi për korrupsion është i madh', por duhet të ngremë sistemi të paktën. Të rregullojmë sistemin e pagave dhe do kemi më shumë arsye për të kërkuar llogari. Ka dhe një arsye të tretë. Mosrritja e rrogave për disa vite më radhë, ka lënë një pjesë të madhe të administratës, e ka varfëruar. Nëse shihet historiku, rritjet kanë qenë të kufizuara në një kategori të ngushtë si mjekët, sistemi arsimor.
15% nuk është dhënë për të gjithë punonjësit e shtetit, por për kategori të caktuara. Inflacioni çdo vit i bën këta njerëz më të varfër nga sa ishin më parë.
Këto janë institucionet që duhet të kenë tagrin. Faktori kryesor është Këshilli i Ministrave që propozon hierarkinë e pagave, pastaj është Parlamenti që e miraton. Nuk shoh ndryshim thelbësor, por vazhdim të praktikave që ndiqen në botë.
Nuk mendoj se duhet ky ligj për të detyruar qeverinë për të indeksuar pagat sipas inflacionit. Qeveria e ka detyrimin për të indeksuar pagat pavarësisht se ky detyrim nuk është zbatuar dhe qeveria për vite nuk i ka rritur pagat për një pjesë të madhe të administratës dhe ky është problemi se ka çuar dhe në rënien e fuqisë blerëse dhe rënien e konsumit.



