
Dita e sotme shënon 76 vjetorin e incidentit të Korfuzit që ndodhi më 22 tetor të vitit 1946, ku dy destrojerë britanikë ranë në mina në detin territorial të Shqipërisë pranë Gjirit të Sarandës.
Ky njihet edhe si incidenti i parë i Luftës së Ftohtë dhe është rasti i parë i gjykuar nga Gjykata Ndërkombëtare e drejtësisë. Në atë periudhë Britania mbështeste pretendimet territoriale të Greqisë në Shqipëri.
Ish-Komandanti i Forcave të Armatosura Detare Artur Meçollari, i ftuar në edicionin e lajmeve në MCN tv, tha se ky incident ushtarak ishte i mirëplanifikuar dhe i urdhëruar nga nivelet më të larta politike të të dy shteteve.
Sipas tij, kjo mund të cilësohet edhe si një mësim që Shqipëria të ndryshonte mënyrën e të sjellurit ndaj të drejtës ndërkombëtare të detit.
Në lidhje me incidentin, kemi të bëjmë me një veprim i cili kërkonte të ndryshonte sjelljen e shtetit shqiptar në lidhje me të drejtën ndërkombëtare të detit. Ky ishte qëllimi i britanikëve, britanikët kishin interes jetik kalimin nëpër detin territorial të Shqipërisë, sepse në atë periudhë i gjithë kanali i Korfuzit, ishte i minuar.
Forcat britanike gjendeshin në Korfuz dhe dy ishin mënyrat të dilnin nga Kanali në drejtim të detit Adriatik apo Jonit qendror, duke kaluar nga poshtë Korfuzit, ose duke kaluar në rrugën Medrie e cila kalonte përpara portit të Sarandës.
Pra, ata kërkonin të kishin lëvizshmëri operacionale të forcave të tyre detare. Ky ishte qëllimi i tyre kryesor.
Kurse shteti shqiptar në këtë moment, nën një lloj presioni të qeverisë jugosllave, arriti deri aty sa të minoj kanalin, gjë që nga pikëpamja operacionale, e mund të dukej i ligjshëm, por nga pikëpamja politike thjesht acaroj edhe më shumë marrëdhëniet midis Shqipërisë, Britanisë së Madhe dhe deri diku edhe SHBA-së.
Por, objektivi britanik në incident nuk ka lidhje me pushtimin apo ndryshimin e regjimit në Shqipëri, thjesht një mësim që Shqipëria të ndryshoj mënyrën e të sjellurit ndaj të drejtës ndërkombëtare të detit.



