Analisti Ilir Kalemaj, thotë se vendimet e gjykatave në Shqipëri asnjëherë nuk janë tërësisht të pavarura dhe sulmohen dhe se ato jo vetëm komentohen por edhe degradohen dhe përdoret një gjuhë gati gati asgjësuese ndaj tyre.
Komenti i tij u bë pas pranimit të ankimimit nga kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, të vendimit që njihte Kuvendin e 11 dhjetorit.
Në studion e lajmeve të MCN Tv, Kalemaj deklaroi se ambasadorja amerikane Yuri Kim është më e veçantë nga ambasadorët e tjerë në drejtim të protagonizmit që ka në jetën e vendit.
Ambasadorët përfaqësojnë shtetin e tyre dhe fakti që Berisha thotë se do ankohet në DASH nuk besoj se i sjell ndonjë dëm politik zonjës Kim. Besoj se përdoret për konsum të brendshëm në PD.
Se vetë qëndrimi i DASH për non grata, nuk lë vend për interpretim. Drejtësia nuk ka qenë asnjëherë e pandikuar, ndikohet më shumë a më pak nga faktorët e brendshëm apo jashtëm, natyrisht amerikanët kanë qenë faktori që ka ndikuar më shumë në reformën në drejtësi, si ONM e famshme, gjë që një farë mënyre e prek sovranitetin e Shqipërisë po është bërë me 140 vota deputetësh.
U bë për shkak të kushteve të jashtëzakonshme, ku pushteti gjyqësor nuk jepte më drejtësi. Nuk e bëjnë një drejtësi perfektë, por nga ana tjetër nuk mund të shkohet drejt një kontestimi permanent të vendimeve të gjykatës, gjykata jep një vendim, njëra palë e pranon tjetra thotë se është vendim antikushtetues.
Lidhur me deklaratën e Edi Ramës se mazhoranca do të ndërpresë çdo marrëdhënie me PD e Sali Berishës, Kalemaj shtoi se gjuha e përdorur nga Kryeministri ishte gjuhë e rëndë, duke iu referuar vdekjes politike.
Ishte gjuhë jashtëzakonisht e fortë dhe asgjësuese në lidhje me kundërshtarin. Nëse zoti Berisha do jetë kryetari i opozitës, ti je i detyruat të dialogosh. Je më afër Uashingtonit në këtë drejtim, por më larg Brukselit.
Ti nuk e zgjedh opozitën, ndryshe kemi të bëjmë me opozita të krijuara në laboratorë. Raporti që kanë ata me faktorin Sali Berisha është tjetër gjë, në raport me opozitën që ke përballë.
Idenë e një referendumi që në të ardhmen Presidenti të zgjidhet nga populli dhe për këtë të bëhet referendum, analisti e cilësoi si një “lojë pasqyrash” që bënë Edi Rama, një mënyrë për të shmangur debatin mbi gjërat e rëndësishme që i takojnë shoqërisë, apo skandale si inceneratorë.
Mënyra më e mirë është të nxjerrësh nga kapelja çështjen e Presidentit, i cili është një vend pune, nuk ka peshë aq më pak me këtë mazhorancë që i ka kapur të gjithë pushtetet e tjera. Ka votat dhe mund ta zgjedhë edhe i vetëm Presidentin.
Të thuash që deputetët të nxjerrin nga 3 emra secili, apo qytetarët të votojnë me email, të lësh lloj lloj personazhi nga shoqëria civile tek anonim apo qesharak për tu vetëpropozuar dhe në fund të ditës të zgjedhësh atë që e ke pasur në mend prej 4 vjetësh, kjo i kalon kufijtë e qesharakes dhe tallesh me pjesën e shëndoshë të opinionit publik dhe shoqërisë civile. Pse e bën Rama? Sepse synon që kjo epokë apo erë të njihet si epoka Rama, era Rama. Të mos njihet kush është President, ministër i brendshëm, por vetëm ai.
Sa i takon një propozimi që vetë Kalemaj do të jepte për President, ai tha se nëse i referohesh deklaratave të Edi Ramës, një kandidaturë dinjitoze do të ishte Valentina Leskaj, për të cilën tha se ka ardhur nga shoqëria civile, ka qenë kryetare parlamenti dhe ka qenë “socialiste race”.



