
Sot është mbajtur seanca në Gjykatën Kushtetuese, për shqyrtimin e çështjes së zgjedhjeve të 30 qershorit 2019. Seanca u zhvillua pas vendimit të Komisionit të Venecias, i cili është shprehur se zgjedhjet janë legjitime dhe opozita nuk duhet t’i kishte braktisur.
Avokati Jordan Daci, i cili është përfaqësuesi i Shoqatës së Bashkive i ka qëndruar të njëjtave pretendimeve që ka ngritur edhe më herët dhe ka kërkuar që mendimi i Komisionit të Venecias të mos merret parasysh.
Shoqata kërkon shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe përsëritjen e tyre.
“Kemi kënaqësinë që të themi për publikun se ky është një proces që asnjë palë s’do të dalë e humbur. Do të fitojë demokracia. Përtej asaj që ka thënë Venecia, zgjedhësve duhet t’u jepet një kuptim i ri për zgjedhjet. Zgjedhësit duhet te kenë te drejte te zgjedhin. Ndaj zgjedhjet e 30 qershori nuk ishin në përputhje me parimet e Komisionit të Venecias. Ky opinion nuk është detyrues dhe as i saktë. Në paragrafin 47 e pranon. Në 28 e mohon. Nga ana tjetër unë bërë pyetjen; nëse nuk është gjykata kushtetuese, kush është atëherë?! Përse komisioni i Venecias nuk anashkalon me qëllim këto vendime. Ka kompetencë. Në Republikën e Shqipërisë opinioni i referohet tre pyetjeve ndërsa komisioni ka 30 pyetje të tjera. Komisioni thotë që Gjykata ka vendime kushtetuese, mund të merret me legjislacionin zgjedhor. Ne mendojmë që ka kompetencë dhe Gjykata Kushtetuese do e gjykojë.”, tha Daci në një prononcim për mediat.
Në seancë ishin të pranishëm përfaqësues të Kuvendit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Avokati i Popullit, dhe Partia Bindja Demokratike. Gjithashtu është edhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, e cila ka bërë edhe kërkesën në Kushtetuese.
Ishte Gjykata Kushtetuese ajo që e dërgoi çështjen në “Venecia” pas padisë së Shoqatës së Bashkive. Edhe Komisioni i Venecias shprehej se Kushtetuesja nuk ka kompetenca të gjykojë pavlefshmërinë e zgjedhjeve.
Pas diskutimeve, Kushtetuesja është tërhequr për një vendim, i cili sipas ligjit pritet të publikohet brenda 30 ditëve.



