Emisioni “FactCheck” në MCN TV, ka zbardhur dëshminë e biznesmenit të rrëmbyer, Gerond Meçe, në kuadër të hetimeve për dosjen “AKSHI”.
Kam dyshime se grupi që më mori peng më liroi rreth orës 16:20 të datës 12.08.2025, pasi mori konfirmim për tërheqjet e depozituara nga kompania në sistem të KPP. Këtë dyshim e lidh me faktin se, nga eksperienca ime në këtë fushë, ata duhet të kenë një autoritet apo lidhje brenda KPP i cili ka aftësinë dhe kompetencën për ta verifikuar.
Dyshoj se ky person quhet ‘Kreshnik Tërnova’, me detyrë anëtar i KPP. Këtë dyshim e lidh me faktin se Z. Kreshnik Tërnova ka lidhje me Z. Ermal Beqiri dhe janë parë bashkë te restorant ‘Markata e Peshkut’, te Pazari i Ri. Ka shumë procedura që, edhe kur KPP i ka dhënë të drejtë, anëtari i KPP Z. Kreshnik Tërnova ka qenë kundër në minorancë.
Theksoj edhe një rast të një procedure lidhur me mirëmbajtjen e sistemit të kamerave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku ky anëtar, në mbledhjen ballafaquese midis KPP dhe kompanisë ankimuese, i është drejtuar Autoritetit Prokurues që ta klasifikojë si tender i klasifikuar, gjë e cila ishte drejtpërdrejt me qëllim për të nxjerrë jashtë loje kompaninë tonë.
Shtoj se të nesërmen e rrëmbimit shoqëria ‘ABS’ ka bërë kërkesë për pezullimin e ‘njoftimit të tërheqjes’ pranë KPP dhe AKSHI, me argumentimin se janë hakeruar një ditë më parë të dhënat elektronike. Pavarësisht se kemi kërkuar pezullimin e ‘njoftimit të tërheqjes’, KPP, në kundërshtim me ligjin, ka marrë vendim po në datë 13 gusht 2025 për mospranimin e pezullimit ‘të njoftimit të tërheqjes’, pavarësisht se nuk ka pasur kohë që ta fuste në rend dite, pra ta përgatisë 24 orë përpara.
Më pas kompanisë i ka ardhur njoftimi, ku firma elektronike është bërë në datë 15 gusht dhe jo në datë 13 gusht, si dhe në bazë të ligjit KPP vihet në lëvizje me kërkesë për tërheqje dhe jo me njoftim për tërheqje, si në rastin tonë.
Çdo procedurë e imja e ankimuar në KPP zgjat më shumë se dy muaj dhe mendoj se bëhet qëllimisht, pasi asnjë procedurë nga aplikantët e tjerë nuk zgjat kaq shumë.
Unë, Gerond Meçe, dyshoj se personi që ka organizuar rrëmbimin është Z. Ermal Beqiri. Arsyeja pse e them me bindje është sepse pas çdo procedure të tillë qëndron një nga kompanitë e tij ose kompani që janë të lidhura me të.
Këtë bindje e forcoj me faktin se, diku nga periudha prill–qershor 2024, administratorja e firmës ‘Soft&Solution’ e Z. Ermal Beqirit ka ardhur në ambientet e kompanisë sime dhe ka kërkuar të takohet me mua. Pasi u njoftova se kush ishte, refuzova ta takoja, pasi ishte kompani e lakuar në treg për shumë procedura.
Shpjegoj se në dhjetor të vitit 2023 Z. Gent Progni ka dalë në media duke më akuzuar se ‘ABS’ bashkëpunon me ‘Soft&Solution’, ‘Comunication Progres’, ‘Fastech’ etj. Duke qenë se deri në atë moment nuk kisha pasur asnjë lloj kontakti me këto kompani, preferova të mos e takoja administratoren. Në momentin që stafi im ka komunikuar se nuk do ta takoja, ajo, në dalje e sipër, ka thënë se ‘kështu do të vazhdoni ju të bashkëpunoni me ne’.
Pas kësaj kanë filluar problematikat e kompanisë sime lidhur me bllokimin e procedurave me AKSHI. Këtu përmend një procedurë me Hardëare të AKSHI, ku kam qenë në bashkëpunim me kompaninë ‘InfoSoft’, e cila u zhvillua dy herë dhe u anulua pa shkaqe të arsyeshme. Kur ‘InfoSoft’ u fut herën e tretë vetëm, u shpall fituese. Pas këtij momenti fillon edhe historia e ankimimeve që u bë edhe shkak i rrëmbimit.



