
Kreu i SPAK, Altin Dumani ka vendosur të ristrukturojë Prokurorinë e Posaçme, duke hequr nga dosjet korruptive të qeverisë dy prokurorët Ervin Kondili dhe Manjola Kajana.
Pasi kanë shërbyer për gati 5 vite me radhë në Seksionin e Krimit Financiar dhe Shpërdorimit të Detyrës, prokurorët janë transferuar në Seksionin Hetimor të Krimit të Organizuar.
Në vend të tyre tek seksioni hetimor i krimit financiar janë emëruar dy prokurorët e rinj që erdhën në SPAK në fillim të muajit gusht, Anita Jella dhe Bledar Maksuti.
Gazetari Arsen Rusta tha në studion e lajmeve të MCN TV se pavarësisht këtyre lëvizjeve, prokurorët e lartpërmendur nuk janë të përjashtuar, pasi ata janë sërish pjesë e shortit.
Prej kompletimit të SPAK që deri para 3 javësh ka qenë me 18 hetues, bashkë me Dumanin tani është me 20. Është shtuar Anita Jella, ish-drejtuese e Prokurorisë së Durrësit dhe Bledar Maksuti, një hetues i seksionit financiar në Prokurorinë e Tiranës. Është bërë me 20. Është rikonfiguruar administrata, ose nëse mund të them strukrurat pasi hetuesit nuk janë të përjashtuar, pavarësisht lëvizjeve që janë bërë të kenë sërish akses. Lëvizja nga një strukturë në tjetrën nuk do të thotë që je automatikisht i përjashtuar pasi në short ata janë pjesë, janë sipas dosjeve. Por nga ana tjetër, mund të jenë dhe grup hetuesish. Pasi flasim për krim financiar, ose për strukturën e krimit financiar të jakave të bardha dhe të krimit të organizuar. Deri në këto momente asnjë dosje nuk është e ndarë nga njëra-tjetrën. Politikanët, jakat e bardha shpeshherë ndërthuren me krimin e organizuar, banditët, krimin e rrugës dhe së fundmi duke u bërë bashkë janë tek investimi dhe pastrimi i parave. Nuk do të thotë se kanë ikur nga ky seksion dhe automatikisht janë të përjashtuar.
Kondili prej disa kohësh është zëvendësuar nga Klodian Braho, kjo nuk është një informacion i minutave të fundit. Ndërsa sa i përket zotit Maksuti, mbetet për t’u konfirmuar por ka marrë një vlerësim më të shtuar nga kolegët e tij. Prokurorët sipas legjislacionit aktual janë të gjithë të pavarur nga drejtuesi. E vetmja gjë që Dumani ka në dorë është të krijojë seksione, por nuk ka të drejtë të ndërhyjë tek hetimi.
Rusta bëri me dije që çështjet që kanë në dorë, Ervin Kondili dhe Manjola Kajana do i çojnë deri në fund.
Çështjet që kishin nën hetim do të vijojnë t’i kenë ata. Nuk mund t’i hiqen, por të gjitha çështjet që do të jenë të reja si kallëzimet penale, bashkim të procedimeve penale do të rishortohen. Ata nuk janë më pjesë e një strukture, apo të drejtimit të strukturës, por nuk mund t’i hiqet më një hetim që ai ka në ndjekje, jo pse ka vendosur Dumani të bëjë rokadë në seksione, nuk mund t’ia heqë një dosje që ka në hetim për shkak të veprimeve procedurale.



