Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi mendon se një nga elementët kryesor ku ka mbetur pas shoqëria shqiptare është shtetformimi, ajo që është publike dhe institucionale. Shehi thotë që demokracia është element puro urban që s’e ka patur Shqipëria rurale e fillim viteve 90’.
Ajo që është publike dhe institucionale ka mbetur mbrapa në Shqipëri dhe këtu defektojmë ne. Këtu elementi shtetformues i shoqërisë shqiptare është i dobët akoma. Institucionet me zor qëndrojnë në këmbë.
Demokracia është një pjatë që duhet ta mësosh ta hash më përpara, nuk është pite! Demokracia është produkt puro urban, Shqipëria ishte puro rurale. Shqipëria ndërtohet mbi një shtresë të mesme, Shqipëria s’e kishte. Do një shtresë të edukuar, Shqipëria s’e kishte. Do qytete të mëdha, një urbanizim, që Shqipëria s’e kishte. Mendo ti një hallexhi që vjen në Tiranë, mendon për demokraci?! Jo mo, ai mendon të ngrejë një shtëpi, pastaj t’i vërë tjegullat, dhe pastaj të shkollojë fëmijët. Ne i kërkojmë atij të zgjedhë mes të majtës dhe të djathtës! Ai s’e kupton për më tepër ç’është e majta dhe e djathta. Shpesh nuk i intereson, sepse atij mund t’ia ketë dhënë shtëpinë pa leje e djathta, dhe e majta i bën letrat. Tani më thuaj me cilën do bëhet ky?!”.
Duke folur mbi ideologjinë e të majtës dhe të djathtës në Shqipëri dhe si është konceptuar ajo pas rënies së komunizmit, Shehi tha:
Këtu gjysma e Shqipërisë e ka konceptuar të majtën si trashëgimi të Partisë së Punës dhe kjo është e majta! Siç e djathta është e lidhur po them me reaksionërët e vjetër, dhe organizata nacionaliste. Në fakt e majta dhe e djathta ndahen për gjëra të tjera nëpër botë. Ndahen për sistemin e taksave, që e djathta s’do taksa shumë dhe t’i hapë frymën biznesit, që në qendër të shoqërisë ka individin dhe mundësisht individin e pasur, ndërsa e majta ka qenien shoqërore, që do që një pjesë të parave t’ua marrë të pasurve dhe t’ua shpërndajë shtresave vunerabël. E djathta është më nacionaliste, e majta më internacionaliste. Sistemi ynë politik, shpesh herë për të marrë votën nuk ka qenë i djathtë. Edhe kur ishin të djathtët. Reformat që kemi bërë ne ishin të majta, jo në konceptin ideologjik, por për t’i marrë njerëzit me të mirë që të votonin”.



