Dhënia e një fondi prej 4 milionë eurosh për koncertin e Kanye West në Tiranë ka hapur debat mbi arsyetimin e kësaj mbështetjeje dhe lidhjen e saj me klimën politike në vend.
Në emisionin “MCN Live”, Drejtori i Përgjithshëm i MCN TV, Endri Meksi tha se koncerti ishte planifikuar shumë kohë përpara protestave dhe se nuk ka prova që mungesa e suksesit të eventit të lidhej me zhvillimet politike.
Sipas Meksit, përfshirja e qeverisë në promovimin e koncertit mund të ketë krijuar një lidhje të panevojshme mes rezultatit të eventit dhe performancës së saj politike.
Koncerti koincidoi me fazën e protestave, por ai ishte parashikuar shumë herët. Akti i qeverisë mund të shihet si një tentativë e momentit të fundit për të korrigjuar, në njëfarë mase, dëmin që mendohej se mund t’i krijonte ose i kishte krijuar protesta koncertit. Unë, në fakt, nuk e shoh shumë të lidhur protestën me koncertin, sepse nuk shoh që Kanye West të jetë një personazh me ndonjë ngarkesë politike në këtë drejtim.
Ai theksoi se nuk ka një klimë të tillë në Shqipëri ku qytetarët të bojkotojnë aktivitetet kulturore për shkak të qëndrimeve politike të qeverisë.
Nuk shoh një lidhje të drejtpërdrejtë që protestuesit në Tiranë apo qytetarët në Shqipëri të kishin arsye për të mos shkuar në koncert. Nuk po shoh një situatë ku po sabotohen aktivitete të tjera kulturore apo artistike. Nuk është se kemi një klimë ku qytetarët po refuzojnë çdo aktivitet që lidhet me qeverisjen.
Meksi solli si argument edhe suksesin e mëparshëm të artistit amerikan në skena ndërkombëtare, duke thënë se nuk mund të lidhet automatikisht shitja e biletave me situatën politike në Shqipëri.
Në këtë histori, qeveria mund t’i ketë dhënë koncertit një lloj ngarkese politike dhe ndoshta kjo mund të ketë pasur një efekt negativ, por është shumë e vështirë të thuhet me siguri. Kanye West kishte kohë që promovonte koncertin dhe bënte thirrje për blerjen e biletave. Koncerti i tij i fundit para Shqipërisë ishte në Turqi, më 30 maj, ku pati rreth 118 mijë shikues. Pra, ishte një event që kishte treguar sukses edhe më parë.
Sipas Meksit, është e vështirë të argumentohet se protestat ishin arsyeja kryesore e një eventualiteti të dobët të koncertit.
Të thuash se koncerti nuk do të funksiononte në Shqipëri për shkak të situatës politike është një analizë shumë e vështirë për t’u mbështetur. Nuk ka një bazë të fortë për të thënë se protesta do të ishte faktor vendimtar në shitjen e biletave.
Duke komentuar rolin e institucioneve, Meksi tha se përfshirja aktive e qeverisë dhe zyrtarëve të lartë e bëri koncertin më të ekspozuar ndaj kritikave politike.
Ministri Gonxhja ishte ndër personat që u angazhuan kryesisht për promovimin e koncertit. Ai bënte thirrje që njerëzit të blinin bileta dhe që eventi të kishte sukses. Por mendoj se ishte gabim që në këtë moment qeveria u përfshi kaq shumë, sepse nuk shoh arsye, sidomos duke pasur parasysh klimën politike, që të krijonte një pretekst për ta quajtur më pas mungesën e suksesit një disfatë të qeverisë për shkak të protestave.
Sipas tij, mbështetja e një eventi të tillë mund të argumentohet nga perspektiva e turizmit dhe promovimit të vendit, por jo si një ndërhyrje për të garantuar suksesin e një kontrate.
Mbështetja e eventit nga këndvështrimi i menaxhimit dhe i forcimit të turizmit, që është edhe arsyetimi i dhënë nga kryeministri Rama, do të kishte kuptim edhe përtej protestës. Por duke u futur vetë qeveria dhe deputetë në promovimin e eventit, ajo në njëfarë mënyre lidhi edhe veten me rezultatin e tij. Nëse shitja e biletave nuk do të ishte sipas pritshmërive, kjo do të interpretohej lehtësisht si një dështim i qeverisë.
Duke iu referuar deklaratës së kryeministrit se ndihma ishte e pjesshme, Meksi tha se çështja kryesore nuk është vetëm suksesi i koncertit, por mënyra se si është dhënë mbështetja financiare.
Në njoftimin e zotit Rama thuhet se ndihma ishte e pjesshme, pra nuk bëhej fjalë për subvencionimin e të gjithë eventit, por për një mbështetje të caktuar që koncerti të shihej si një sukses ndërkombëtar. Nuk mendoj se shqetësimi kryesor është thjesht dështimi apo jo i Kanye West në Shqipëri. Kemi pasur edhe më parë koncerte të artistëve të famshëm që nuk kanë arritur pritshmëritë, edhe pse janë reklamuar më pak.
Sipas Meksit, vlera e një eventi të tillë duhet parë kryesisht në efektin e imazhit dhe marketingut ndërkombëtar.
Unë e shoh më shumë në aspektin ndërkombëtar, sepse një event i tillë krijon lajm dhe mund të ndikojë në imazhin e vendit dhe në perceptimin e Shqipërisë si destinacion turistik. Nuk mendoj se Tirana apo Shqipëria do të vuante pa këtë event, por një artist i përmasave të Kanye West është një nga personazhet që gjeneron shumë vëmendje dhe mund të krijojë një moment pozitiv në nivel ndërkombëtar.
Në fund, Meksi theksoi se debati kryesor duhet të përqendrohet te transparenca dhe ligjshmëria e përdorimit të fondit publik.
Pjesa më e rëndësishme është të shihet ligjshmëria e tij. Nëse fondi do të ndihmojë që kontrata të mos dështojë, kjo është një çështje tjetër, por pyetja kryesore mbetet nëse kjo mbështetje është bërë në përputhje me ligjin dhe me interesin publik.



